Në kuadër të vizitës së punës në Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov mbajti takim me përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (KOREPER), në organizim të përfaqësuesit të përhershëm të Austrisë, në cilësinë e kryesuesit me Këshillin e Bashkimit Evropian.
“Në takim, ministri Dimitrov, duke i përmbledhur aktivitetet në vitin e kaluar, e përshëndeti fokusin e përforcuar të Unionit ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe shfaqi pritje se i njëjti do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Ai u përqendrua në aktivitetet lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe procesin e ndryshimeve kushtetuese si edhe në aktivitetet reformuese kyçe, veçanërisht ato të cilat dalin prej konstatimeve të qershorit në Këshillin e BE-së. Më pas, MPJ Dimitrov e theksoi përkushtimin dhe vendosmërinë edhe krahas delikatesës së proceseve të vazhdojë përmes rrugës së projektuar të integrimit evropian”, kumtoi MPJ.
Ministri Dimitrov prej bashkëbiseduesve kërkoi vazhdimin e mbështetjes së vazhdueshme të BE-së dhe vendeve anëtare të saj për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë.
“Maqedonia është lajm i mirë në kohën kur Evropës i duhen lajme të mira. Ta njohim shansin dhe ta bëjmë progresin të pakthyeshëm. Së bashku”, porositi Dimitrov.
Në takim janë këmbyer mendime edhe për ngjarjet e fundit në rajon dhe është shfaqur shpresë se qershorin e ardhshëm do të sillet vendim formal për fillimin e negociatave inkuadruese për anëtarësim në BE.