Liderët e tri partive opozitare në Parlamentin hungarez në një letër të përbashkët e vlerësojnë si “të turpshëm” vendimin e Qeverisë së Viktor Orban t’i ndajë azil ish kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevskit, transmeton Euraktiv.
“Është e papranueshme të kuptojmë nga mediat e huaja se Qeveria hungareze i ka dhënë azil kriminelit i cili kërkohet me urdhërarrest ndërkombëtar”, theksojnë në letrën e përbashkët Bert Alan Tot, kryetar i Partisë Socialiste hungareze, Sabo Timea, bashkëkryetar i Partisë Dialog për Hungarinë dhe Ferenc Gurçani, lider i Koalicionit Demokratik.
Të tre partitë në fund të letrës së hapur bëjnë thirrje të tërhiqet azili i Gruevskit dhe ai urgjentisht ta lëshojë Hungarinë gjegjësisht të ekstradohet.
Të tre partitë opozitare i kanë bërë vërejtje Orbanit edhe për atë se ka angazhuar diplomatë hungarezë t’i ndihmojnë Gruevskit të arratiset nga Maqedonia përmes disa vendeve ballkanike dhe se të gjithë rastin autoritetet në Budapest e kanë mbështjellë me gënjeshtra dhe jotransparencë.
Opozita hungareze reagon edhe për shkak se autoritetet nuk kanë lejuar për rastin e Gruevskit të debatohet në Parlament.