Procesi i implementimi të Marrëveshjes së Prespës do të zhvillohet ashtu siç është paraparë në marrëveshjen e nënshkruar mes Maqedonisë dhe Greqisë, për zgjidhjen e çështjes së emrit. Qëndrimin e Qeverisë greke e ka përsëritur në një intervistë për radion greke “News247”, zëdhënësi, Dimitris Canakopulos. I pyetur se marrëveshja a do të shkoj për ratifikim në muajin mars në Greqi, nëse ndryshimet kushtetuese në vend përfundojnë në janar, ai është përgjigjur se ratifikimi i marrëvedhjes do të jetë në pajtueshmëri me dispozitat e vet marrëveshjes.
Dimitris Canakopulos, zëdhënës i Qeverisë së Greqisë
“Kryeministri ka thënë se marrëveshja do të dorëzohet në Kuvendin grek në bazë të asaj që e përcakton vet Marrëveshja e Prespës, ndërsa më pas do të përcaktohet procesi për ratifikim të marrëveshjes”.
Nga ana tjetër, opozitarët grekë kanë shprehur edhe një herë qëndrimin kundër për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Kryetari i partisë Demokracia e Re, Kiriakos Mitsotakis ka përdorur retorikë folkloriste kur ka folur për këtë marrëveshje politike.
Kirjakos Micotakis, Demokracia e Re
“Liqenin e Prespës grekët e njohin jo nga bukuria e jashtëzakonshme natyrore e tij, por nga marrëveshja a turpshme e Prespës, të cilën e firmosën Cipras dhe Kamenos. Marrëveshje e cila e shmang gjuhën maqedonase dhe kombësinë maqedonase të fqinjit tonë. E përsëris prej këtu, nga Kosturi se Demokracia e Re nuk do të votoj për këtë marrëveshje, as në këtë e as në Parlamentin e ardhshëm”.
Opozitari grek ka tërhequr vërejtjen se për herë të parë në histori negociohet për gjuhën dhe kombin maqedonas. /SHENJA/