Me marrjen në pyetje të personave ekspertë të MPB-së të cilët kanë bërë analiza në disa automjete, sot Gjykata Penale në Shkup e vazhdoi gjykimin për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill 2012.
Për rastin “Monstra” në procedurë paraprake, lëndë e analizës kanë qenë automjetet “opell omega”, “golf 3”, “pezho 306” dhe “mazda 626”.
Eksperti i parë, i punësuar si shef në Sektorin për çështje kriminaliste-teknike, ka kryer edhe analiza daktiloskopike, gjegjësisht analizën e gjurmëve të gishtërinjve dhe gjurmëve, siç tha, të automjetit “pezho 306” dhe materialit lëndë të marrë prej tij, si edhe të automjetit “mazda 626” me ngjyrë të kaltër.
Në pyetjen prej Gjykatës, personi ekspert tha se mbetet me deklaratën e dhënë para gjykatësit hetues të lëndës paraprake.
“Pas analizës së bërë. Gjurmët prej linjave kapilare të cilat janë kategorizuar si më të qëlluara për identifikimin e personave janë futur në sistem me ç’rast është bërë identifikimi me personin Alil Demiri dhe personin, e shënuar nga SPB Kumanovë si Nuhiji Bujan, për të cilin nuk është përcaktuar identiteti i saktë, deklaroi personi ekspert.
Theksoi se, gjurmët e një pjese të dëshmive materiale prej automjetit “pezho 306”, si llogari dhe vërtetime, kanë përkuar me ato të personit Samir Luta, i cili më vonë është futur në sistemin për analizë nga SPB Shkup.
Kryetari i këshillit gjyqësor, Ognen Stavrev, në fillim informoi se akoma nuk ka përgjigje për kërkesat për ekstradimin e dy prej të akuzuarve, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq të cilët janë në arrati në Kosovë. Të gjithë të akuzuarit e tjerë janë të pranishëm në sallën e gjykatës, njofton MIA.
Përfaqësues të aktakuzës nga Prokuroria Publike Speciale janë prokurorët, Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski.
Fetai, në fillim, sqaroi se defteri i cili u tregua në seancën e kaluar është nga lista e dëshmive të marra nga bashkëshortja e Afrim Ismailoviq gjatë bastisjes në shtëpinë e tij.
Rasti “Monstra” në shkurt të këtij viti filloi nga fillimi dhe ende gjendet në procedurën e dëshmive. Familjarët e të vrarëve në seancën e kaluar kanë reaguar mbi tempon me të cilën zhvillohet rasti, ndërsa prokurorja Fatime Fetai ka kërkuar nga gjykata të caktohen më shumë seanca përnjëherë.