Djemtë e ri nga Çairi, Besir Bela dhe Skender Demiri, që rrahën për vdekje pjesëtarin e tifozëve Komitët Nikolla Sazdovski, nuk pranojnë fajin dhe nuk ndjehen fajtorë, raporton SHENJA.
Sot kur për herë të parë dolën para gjykatës penale e cila i përndjek për vrasje, ata thanë se nuk ndjehen fajtorë për vrasje me paramendim, siç e ka kualifikuar veprën prokurori Anell Fidovski. Prokurori Anell Fidovski tha se të akuzuarit së bashku kanë me paramendim, e kanë vrarë Nikolla Sazdovskin. Sipas prokurorit, “Natën e ngjarjes tragjike, në Zhelezarë të dy të akuzuarit ia kanë kërkuar letërnjoftimin Sazdos dhe pasi ai u ka thënë se ai është Sazdo, tre djemtë kanë filluar ta grushtojnë. Nga goditjet e shumta Sazdo ka humbur barazpeshë dhe ka rënë në trotuar. Pastaj edhe pas rënies në tokë të akuzuarit kanë vazhduar ta godasin me shqelma. Prej atyre goditjeve ai ka rënë në komë dhe pati gjakderdhje në tru, pastaj e humbi jetën”.
Prokurori tha se nuk ka dyshim së të akuzuesit janë autorë të një vrasjeje. Prokuroria tha se do të dëshmojë këtë fakt me shume e prova materiale dhe verbale që përfshijnë dëshmitarët kyç të rastit. Do të dorëzohet edhe raporti i Mjekësisë Ligjore për pasojat që shkaktuan vdekjen e Sazdovskit dhe së bashku me to të thirren edhe dy ekspertë nga mjekësia ligjore. Për këtë rast janë thirrur tre dëshmitarë kyç. Dy burra dhe një femër. I akuzuari i parë, Besir Bela është 20 vjeç dhe nuk është i punësuar, ndërsa Skender Demiri, 19 vjeç tha se derit tani ka punuar në Ndërmarrjen Publike për Rrugë dhe Rrugica. Asnjëri nuk ka dosje penale. Mbrojtja paralajmeroi prova shtesë me të cilat do ta hidhte poshtë kualifikimin e veprës penale si vrasje mizore. Personi i tretë i akuzuar, Jeton Luzha është në arrati.
/SHENJA/