VMRO-DPMNE-së më shumë i intereson fati i Nikolla Gruevskit se e ardhmja e Maqedonisë. Ky ishte reagimi i LSDM-së ndaj deklaratës së kreut të VMRO-DPMNE-së Hristjan Mickoski, i cili në emisionin “Rruga drejt” në Alsat tha se është takuar me paraardhësin e tij Nikolla Gruevski. Nga LSDM thonë se presin që për shkak të qëndrimeve konservative të kryesisë së VMRO-DPMNE-së, edhe deputetë të tjerë opozitarë t’i bashkëngjiten shumicës dhe të mbështetin proceset euro-atlantike.
Anti-perëndimori Mickoski i pranoi takimet me mentorin e tij Gruevski dhe bisedat për tema të përbashkëta, për të ardhmen e Nikolla Gruevskit. Me këtë, Mickoski edhe njëherë tregon se për të dhe udhëheqjen anti-perëndimore të VMRO-DPMNE-së, e ardhmja e Gruevskit është më e rëndësishme se e ardhmja e Maqedonisë dhe qytetarët e saj. Fati i Gruevskit është e ardhmja e Mickoskit” – Reagim i LSDM-së
Nga ana tjetër fraksioni demokratik i VMRO-së i bën thirrje Mickoskit që të pastrojë partinë nga, siç thotë, strukturat kriminale. Demokratët e VMRO-së kërcënojnë se në të kundërtën, Mickoski nuk do të arrijë të mbajë pozitën e të parit në parti më larg se deri në zgjedhjet presidenciale.
Hristijan Mickoski për shkak të gjitha gabimeve që i ke bërë deri tani, përderisa nuk vetëdijesohesh në kohë dhe përderisa nuk mundohesh ta tejkalosh këtë mjegullim, kryesimi i yt me partinë do të zgjas më së shumti deri në zgjedhjet presidenciale. Andaj, fraksioni Demokratik për herë të fundit, ju porosit, deri në fund dhe pa asnjë kalkulim ta pastroni partinë nga të gjitha strukturat kriminale dhe llumin partiak. – theksuan VMRO- Fraksioni Demokratik
Kryetari i VMRO-së Hristjan Mickoski mbrëmë në emisionin Rruga Drejt, pranoi se është takuar me Nikolla Gruevski dhe se e preokupon përndjekja siç tha ai politike që i bëhet ish kryeministrit.
Para disa ditëve u takuam, biseduam për atë që po i ndodhë me përndjekjen politike në periudhën e kaluar, biseduam për ardhmërinë e tij kuptohet sepse si kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe ai si kryetar nderi i VMRO-DPMNE-së kuptohet se kemi tema të përbashkëta, jo vetëm për funksionimin tonë partiak por edhe për momentet personale në gjithë këtë punë. -u shpreh Hrstjan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së
Mickoski tha se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së është i unifikuar dhe se nuk priten dezertime të reja. Sipas tij, dorëheqjet dhe shkarkimet nga postet kyçe të partisë së tij, janë demokratike dhe të nevojshme.