Kryeministri Zoran Zaev sot deklaroi se nuk mund të konfirmojë nëse është arritur shumicë prej dy të tretave për sjelljen e ndryshimeve kushtetuese të cilat janë obligim nga marrëveshja e Prespës, por shfaqi optimizëm se përmes debatit inkluziv, siç tha, do të fitojë elementi progresiv.
“Këtë nuk mund ta thotë askush. Kjo mund të thuhet në momentin e vendimmarrjes, natyrisht përmes debatit në Parlament. Unë besoj dhe do të shohim të gjithë nëse kjo shumicë ekziston ose jo. Nuk do të lejojmë asgjë që të prishet. Ne biseduam me shumë deputetë, personalisht unë kam biseduar, ndërsa edhe deputetët me deputetët dhe pamë se ekziston një masë e bukur progresive e deputetëve që është motiv mjaft serioz dhe arsye për t’i hapur procedurat siç atë e bëri dje Qeveria. Këto ditë shpresoj që Parlamenti shpejt do të caktojë Komision kushtetues që të mund të hapet debati. Unë pres edhe gjatë pjesë kreative të deputetëve përmes debatit kushtetues të krijohet atmosferë e favorshme për të gjithë që të mund të formohet kjo shumicë prej dy të tretave që do të duhet të formohet përmes rrugës natyrore”, tha Zaev..
Ai shtoi se në këtë kontekst duhet t’i largojë, siç theksoi, të gjitha spekulimet, që ishin mbi kokën e shumë deputetëve për disa para, situata të pakëndshme…
“Kam thënë edhe më herët, kjo duhet të shkojë në atmosferë të favorshme, në atmosferë të bartjes së përgjegjësisë dhe vendimmarrjes për ardhmërinë e Maqedonisë. Nëse me të vërtetë jemi për NATO dhe BE, ja tani institucionet përmes Parlamentit do të duhet këtë ta bëjnë. Qeveria këtë e ka bërë, tani e ka radhën Parlamenti”, tha Zaev, duke theksuar se edhe qytetarët, ata të cilët dolën të votojnë, e përcaktuan drejtimin përmes të cilit duhet të lëvizë shteti.
Ai edhe njëherë përsëriti se tani është radha e deputetëve dhe se beson në proces inkluziv, në integrimin brenda të gjithëve, se do të dominojë pjesa progresive.
“Ajo që mua më intereson është që të gjithë të bartim përgjegjësi për atë që është para nesh. Ajo përgjegjësi është para së gjithash para qytetarëve dhe para shtetit dhe ajo është përgjegjësia e parë dhe parimore që të gjithë e kemi. Apeloj deri tek të gjithë faktorët, deri tek të gjithë pjesëmarrësit në proces të përballen me shkallën e përgjegjësisë historike, e cila është para nesh. Jam i bindur se përmes atmosferës së mirë dhe inkluzive, procesit integrues në vetë Parlamentin do të japim edhe njëherë mesazh pozitiv para së gjithash deri tek qytetarët tanë, por edhe deri tek të gjithë miqtë ku dëshirojmë të përkasim dhe ato janë vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s se jemi shoqëri e pjekur e cila e di se çfarë është ardhmëria dhe praktikisht tregon se është me të vërtetë për NATO dhe BE. E gjithë pjesa tjetër do të ishte vetëm një floskulë e zhveshur dhe politikë bërje”, tha Zaev.
Ai i hodhi poshtë si të pavërteta pohimet se janë siguruar 82 deputetë dhe tha se procesi nuk llogaritet në matematikë dhe në numra, por duhet të zhvillohet në bisedë dhe motivim dhe përcaktim për përgjegjësi.
“Procesi do të ndodhë në Parlament dhe unë besoj se kjo do të sjellë shumicë më të madhe se dy të tretat ose shumicë prej dy të tretave që do të jetë mjaftueshëm që në rastin e parë të konfirmohet nevoja nga ndryshimet kushtetuese. Pastaj përpunohen amendamentet kushtetuese të cilat përmes komisioneve dhe debateve publike vijnë në votim në Parlament”, tha kryeministri Zaev.
Përsëriti se të gjitha shpresat ia jep Parlamentit, por si opsion i fundit mbeten zgjedhjet e shpejta të parakohshme.
“Jam optimist dhe jam i relaksuar. Maqedonia e jeton kohën të bukur historike ku qytetarët kanë mundësi dhe të drejtë të vendosin. Vendosën. Dje Qeveria vendosi dhe tani Parlamenti do të vendosë. Nuk ka kthim mbrapa sepse nuk ka alternativë dhe opsion tjetër nga integrimi në BE dhe në NATO”, porositi kryeministri Zoran Zaev.
Sipas tij, opsioni real është Parlamenti, sepse Maqedonisë nuk i duhen zgjedhje të reja.
“Në opinion dominon se ky është ai opsion. Opsioni real është Parlamenti. Maqedonisë nuk i duhet që të shpenzohen dy-tre muaj dhe të gjithë e dinë nëse shkojmë në zgjedhje kush do të fitojë dhe çfarë shumicë do të ketë, se do të jetë dy e treta. Por dy-tre muaj shkuan. Nuk duhet asnjë ditë t’i shpenzojmë shtetit. Afatet janë të qarta, Rregullorja është e qartë, ndërsa për afate të tjera nëse mos e dhëntë Zoti duhet të bisedojmë do të ketë kohë për të biseduar. Besoj se opinioni është lodhur nga zgjedhjet, e jo vetëm ekonomia të cilës nuk i duhen zgjedhje”, tha Zaev, i cili sot mori pjesë në debatin të titulluar “Ura ose mure? Maqedonia dhe Ballkani Perëndimor në Evropë” të organizuar në kuadër të Forumit për shoqëri civile, Shkupi 2018./mia