Vota për në referendum është votë për fëmijët tanë. Ajo nuk është votë për Qeverinë dhe partitë në pushtet, por është votë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Kështu është shprehur kryetari i ASH-së, Ziadin Sela, në emisionin “Studio e hapur” ku tha se shpreson që pas 30 shtatorit dhe me hapjen e bisedimeve me BE-në do të fillojë edhe rikthimi i shqiptarëve në vendlindje.
“Vota pro Referendumit më 30 shtator është votë pro fëmijëve të tyre, është votë pro stabilitetit dhe qetësisë në shtëpinë e tyre, është votë pro progresit dhe zhvillimit ekonomik dhe në një të ardhme, parandalimin e migrimit po të fëmijëve të tyre. Dhe nuk është votë, pro Zaevit, nuk është votë pro Ali Ahmetit, po të ishte votë pro këtyre unë i pari do të dilja dhe do të thoja votoni kundër dhe t’jeni të sigurt do të dështonte edhe te shqiptarët. Por, është shumë më tepër sesa politikë ditore, vota pro referendumit”, u shpreh Sela. /SHENJA/