Armend Bashkurti
Vëmendja e NATO-s tani është e fokusuar te Republika e Maqedonisë. Fqinji ynë lindor po bën hapat e fundit drejt Aleancës Euroatlantike. Por, dihet që hapat e fundit shpeshherë janë hapat më të vështirë.
Veçanërisht tani kur Rusia çdo ditë e më tepër dëshiron të fuqizojë pozitat e veta në skenën ndërkombëtare. Njëjtë sikurse Bashkimi Sovjetik, pozicionin e vet në arenën ndërkombëtare Rusia e ndërton duke i bë “karshillëk” NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Mirëpo NATO ka nxjerrë mësim nga përvoja e keqe me Malin e Zi. Nevojitej shumë pak që republika e vogël ballkanike, pak para anëtarësimit në NATO, të rrëshqasë në kaos të nxitur nga struktura proserbe e proruse. Kaos nga i cili shpëtoi në moment të fundit, falë mes tjerash edhe faktorit shqiptar në Mal të Zi.
Prandaj është plotësisht e kuptueshme se pse në rastin e Maqedonisë, NATO është shumë më e kujdesshme. Nuk u beson më fjalëve që flasin aktorët e skenës politike. NATO i ka afruar “radarët” mbi Maqedoni dhe po skanon punët e tyre. Dhe si duket “radarët” e NATO-s kanë zbuluar se punët e disa politikanëve në Maqedoni, nuk përputhen me fjalët që i kanë thënë. Në këtë kontekst vlen të analizohet fakti që sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë qëndrimit të djeshëm në Shkup, nuk takoi kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Ishte një praktikë e rregullt e burrështetasve të huaj, që gjatë vizitave në Maqedoni, të takojnë edhe kryetarin e partisë më të madhe shqiptar. Mirëpo dje kjo nuk ndodhi.
Si duket, tani që “radarët” e NATO-s janë më afër Maqedonisë, kanë detektuar ndonjë diskrapancë të madhe mes fjalëve që ka thënë Ahmeti dhe punëve që i ka bërë bashkë me partinë e tij. Si duket tani që janë më afër Maqedonisë, “radarët” e NATO-s kanë zbuluar diçka që opinioni nuk e din, lidhur me prapavijën e vërtetë të koalicionit 10 vjeçar të partisë së Ahmetit me VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit, në kohën kur Gruevski praktikonte politikë të qartë proruse. “Radarët” e NATO-s me siguri shohin edhe atë që syri i opinionit ndonjëherë nuk e kapë.
“Radarët” e NATO-s me siguri kanë zbuluar se paditë e Ali Ahmetit dhe BDI-së kundër mediumeve shqiptare (që janë notuar edhe nga Stejt Departamenti amerikan), nuk janë në pajtim me fjalorin e tyre kakafonik “pro NATO e BE”.
Në ditën e vizitës së Stoltenbergut Ahmeti shkoi në një eveniment të shpifur në Strugë.
Analistët dhe njohësist e rrethanave politike në Maqedoni, këtë e kanë interpretuar si tentim të Ahmetit për të defokusuar vëmendjen nga fakti që Stoltenberg nuk u takua me të. Mirëpo një numër jo i vogël i analistëve e shohin këtë nga prizmi tjetër: se Stoletnberg jo vetëm që nuk ka dashur ta takojë, por në ditën e vizitës së tij NATO nuk ka dashur që Ahmeti fare të jetë në Shkup.
Pas kësaj vizite është mirë që të reflektojë edhe shteti shqiptar. Kreu shtetëror shqiptar duhet të ndërpresë praktikën e deritanishëm të ndërtimit të raporteve me subjektet politike në Maqedoni, duke u nisur nga biznes interesat e veta, siç ka bë deri tani. Pikërisht për shkak të këtyre biznes interesave krerët shtetërorë shqiptarë, të djathtë e të majtë, favorizonin raportet me BDI-në e Ali Ahmetit edhe në kohën kur shqiptarëve të Maqedonisë u ndodhnin tragjedi dhe skenarë, që nuk u kanë ndodhur as në kohën e regjimit jugosllav. Kurse shteti shqiptarë në vend se të kërkojë përgjegjësi, favorizonte BDI-në e cila ishte pjesë e qeverisë dhe rrjedhimisht, edhe përgjegjëse për ato tragjedi që u shkaktonte pushteti shqiptarëve.
Stoltenberg gjatë qëndrimit në Maqedoni, u takua vetëm me kryetarin e Lëvizjes Besa, Afrim Gashi, një subjekt që u anatemua dhe u godit deri në përçarje nga shërbimi sekret maqedonas, i ndihmuar nga shërbimi serb.
Shteti shqiptar naivisht i besoi propagandës sllavo-maqedonase se gjoja Lëvizja Besa është një subjekt me agjendë fetare dhe ndihmoi në përçarjen e këtij subjekti. Besa si duket u godit vetëm pse ishte subjekti i parë serioz shqiptar që vepron me seli në Shkup, diçka që nuk mund ta paramendojnë qarqet nacionaliste sllavo-maqedonase (këto qarqe preferojnë që subjektet shqiptare veprimtarinë e tyre ta zhvillojnë nga Tetova, e jo nga Shkupi).
Është koha që shteti shqiptar të fillojë një bashkëpunim të sinqertë me partitë e reja që kanë kuadro të përgatitura dhe të pakorruptuara. E përmenda Lëvizjen Besa, dota përmend edhe Aleancën për Shqiptarët që udhëhiqet nga Zijadin Sela. Është koha që shteti shqiptar të ketë parasysh vullnetin e shqiptarëve të Maqedonisë, e jo vullnetin e strukturave sekrete maqedonase, të cilave gjithmonë u konvenon që shqiptarët të përfaqësohen nga parti me kapacitet të dobët politik.