30 July 2018 / 16:16
Zaev dhe ministrat e tij hodhën gurthemelin për ndërtimin e sallës së Shkollës “Jeronim De Rada” në Çerkez. Por brenda në objektin e Shkollës, një muaj para fillimit të vitit të ri shkollor mungojnë kushtet elementare për mbarëvajtjen e procesit mësimor, sidomos çatia e shkollës dhe tualetet e parregulluara. Ndërsa pjesa dërmuese e klasave akoma ngrohen me koftorë.
Tani për tani për momentin nuk kemi diçka por shpresojmë që në të ardhmen ti rinovojmë edhe tualete. Në mungesë të kabineteve kemi vështirësi për mbajtjen e aktiviteteve të lira. Njëherë të përfundojmë projektet që janë në fazën e fillimit dhe do shohim – deklaroi Hakik Jahiu- Drejtor i shkollës fillore “Jeronim De Rada” Çerkez.
Ministri i Arsimit Ademi tha se janë paraparë vetëm dy projekte për këtë Shkollë, salla e sportit dhe çatia.
Jemi duke i ndjekur procedurat që kanë të bëjnë me furnizimet publike të nevojshme për ndërtimin e një kulmi të ri të kësaj shkolle që është një investim i domosdoshëm, i nevojshëm në vlerë prej 3 milionë denarëve – u shpreh Arbër Ademi, Ministër i arsimit dhe shkencës.
Ademi tha se në bashkëpunim edhe me Komunën e Kumanovës do të punojnë në përfundimin e plotë të ngrohjes qendrore për këtë Shkollë në të cilën mësimin e ndjekin rreth 600 filloristë.
Elmedina Aliji