Qytetarët janë në pritje të vendimit për shpalljen e referendumit për emrin. Partitë parlamentare akoma janë duke udhëhequr bisedime që të arrihet marrëveshje, veçanërisht pasi të hënën liderët kumtuan se kanë dallime, kryesisht për pyetjen e referendumit, transmeton Medial.mk.
Në disa deklarata zyrtare kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi paralajmëruan se deri më 30 korrik referendumi duhet të shpallet që ai të mbahet më 30 shtator. Me formimin e KSHZ-së, anëtarët e së cilit të hënën do të japin deklarata solemne, u krijuan edhe kushte formale për organizimin e tij.
Zaev nga mesi i javës deklaroi se beson se deri më 30 korrik Kuvendi do të sjellë vendim për shpalljen e referendumit, i cili, siç deklaroi, do të organizohet edhe pa VMRO-DPMNE-në opozitare në rast se me ta nuk arrihet marrëveshje, me ç’rast në vijim janë bisedimet në nivel parlamentar.
Në rast se nuk arrihet marrëveshje me VMRO-DPMNE-në pret pozicionim përkatës të deputetëve të tyre për vendimet për shpalljen e referendumit, por edhe para opinionit. Ata, sipas Zaev, duhet të thonë se cili është qëndrimi i tyre, nëse do të jenë për bojkotim, bojkotim të qetë, për thirrje për referendum, ndërsa nëse votojnë kundër do të jenë për thirrje, ndërsa qytetarët të vendosin lirshëm.
“Kjo është e drejtë e tyre, por obligim i të gjithëve është të sigurojnë procesi të jetë i suksesshëm”, deklaroi Zaev. Kryeministri tha se ata janë të hapur për debat për pyetjen nëse referendumi do të jetë konsultativ apo obligues. Kryeministri apelon që referendumi të mbahet si proces i suksesshëm dhe më pas të garantohet validiteti dhe vlerësimi i atyre që do të votojnë për dhe i atyre që do të votojnë kundër.
Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, dje deklaroi se nëse në referendum sillet vendim ai është obligues për institucionet, por nëse nuk merret vendim institucionet kanë për obligim ta thonë mendimin e tyre.
“Qëllimi ynë është që ta përmbushim atë të cilën e kemi premtuar, tu japim mundësi qytetarëve ta thonë mendimin e tyre për BE-në, për NATO-n dhe për rrugën me të cilën do të arrijmë deri te anëtarësimi. I inkurajojmë qytetarët që në mënyrë sa më transparente ta thonë qëndrimin e tyre, nëse dikush është i bindur ashtu si jemi të bindur ne se një shumicë e madhe e qytetarëve dëshirojnë që vendi të normalizohet, të stabilizohet, të vendoset në atë rrugë, do të dalin dhe do ta japin votën e tyre. Ata të cilët vlerësojnë se kjo nuk është mirë gjithashtu mund të dalin dhe ta japin votën e tyre. Këtë vendim ua lëmë qytetarëve dhe i ftojmë që ta japin mendimin e tyre”, porositi Shekerinska.
Sipas njohurive të saj Kuvendi sipas të gjitha gjasave të hënën do ta marrë vendimin për shpalljen e referendumit.