Opozita theksoi se me miratimin e këtij ligji, reformat në sferën mediatike nuk do të ndodhin.
Dëshirë e vetme, sipas VMRO-së, është që pushteti nëpërmjet këtij ligji të vendosë njerëzit e afërt të tij në organet drejtuese të RTM-së dhe në Agjencinë e Mediave, e jo të vendosë njerëz profesionistë dhe të denjë për atë punë.
“Për fat të keq, me ndryshimet në këtë ligj, qëllim dhe dëshirë e vetme e qeverisë është që urgjentisht të ndërrohen organet drejtuese në këto dy institucione. Paramendoni miratojmë ligj që të mundemi t’i ndërrojmë personat që janë zgjedhur në mënyrë të rregullt me mandat legal dhe të zgjedhim persona të rinj, të cilët do të jenë më simpatikë për qeverinë aktuale”,- deklaroi Zoran Ilijovski nga VMRO-DPMNE.
Nga ana tjetër, ministri i administratës dhe shoqërisë informatike, Damjan Mançevski, akuzon VMRO-në se po e bllokon procesin e miratimit të këtij ligji për interesa personale dhe për shkak të kërkesës për amnisti.
Ai tha se në debat flitet për gjithçka, përpos Ligjit për media, andaj ftoi anëtarët e këshillave në RTM-së dhe të Agjencisë së mediave që të japin dorëheqje dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në reformimin e sferës mediatike në Maqedoni.
“Apeloj në guximin e tyre personal që të japin dorëheqje, të lejojnë që reformat mediatike të bëhen në Maqedoni, të lejojnë që politikanët dhe të gjitha partitë politike t’i heqin duart nga mediat, të lejojnë të ketë procedurë të hapur dhe transparente në të cilën publikisht me emër dhe mbiemër edhe vetë ata të mund të aplikojnë, askush nuk i pengon në atë dhe do të munden të jenë të zgjedhur. Përfundimisht duhet të vazhdojmë me të gjitha reformat e mbetura të cilat për arsye procedurale, por me prapavijë të interesave personale dhe të kërkesave për amnisti, nuk po bëhen”,- deklaroi ministri i administratës dhe shoqërisë informatike, Damjan Mançevski.
Ligji për media tashmë për një kohë të gjatë vazhdon të ngec në Komisionin Kuvendor për Transport dhe Lidhje, ku duhet të shqyrtohen 74 amendamentet e propozuara.
ERSAN PAJAZITI