Për dështimin e njëpasnjëshëm të dialogut ndërpartiak për çështjen e referendumit dhe formimin e KShZ-së, analistët politikë fajësojnë kryekëput VMRO-DPMNE-në, për shkak se, sipas tyre, kjo parti ka sjellje destruktive deri në atë fazë që mund të parashikohen të rrezikshme.
Analisti politik, Ismet Ramandani, thotë se VMRO-DPMNE me apo pa vetëdije po hyn në ujëra të turbulluara dhe të dëmshme për skenën politike në vend.
“Këtu bisedohet për çështje kruciale, të rëndësishme, tek e fundit në qoftë se ndërpritet tendenca ose vullneti i qytetarëve të anëtarësohet Maqedonia në NATO dhe BE, dhe këtë e bën një parti politike e cila në rend të parë i ka interesat e ngushta të disa strukturave politiko-kriminele që kanë ndikim te Mickovski dhe ai siduket me naivitet apo pa naivitet po hyn në ujëra të turbullta për t’i sjellë Maqedonisë situatë krejtësisht turbulente”,- deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.
Megjithatë, Ramadani thotë se për të pasur epilog të mirë, duhet lëshuar pe DPMO-DPMNE-së deri në një shkallë të caktuar dhe në moment të fundit të vazhdohet procesi, sipas procedurave parlamentare.
“Unë mendoj se partitë politike në qeveri dhe ato shqiptare edhe në opozitë duhet të kenë durimin e tyre dhe t’i japin mundësi maksimale VMRO–DPMNE-së në këtë dialog ndërpartiak, dhe atëherë kur të shpaloset gjithçka nga ana e tyre, a dihet çka është kërkesa e tyre, dhe në momentin e fundit t’i përdorin të gjitha procedurat parlamentare dhe procesi mos të ndalet, të formohet grupi i KShZ-së dhe të shpallet referendumi”,- deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.
Ramadani vlerëson se nuk ka vend për panik, pasi që ndërkombëtarët janë koncentruar maksimalisht në çështjen politike në vendin tonë, edhe për faktin se Rusia ka shtrirë dorën mjaftueshëm në Ballkan.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU