Me rastin e ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje dhe me qëllim të kultivimit të vlerave kulturore, ruajtjen dhe mbartjen e tyre në gjeneratën e ardhshme Komuna e Zhelinës e organizoi Festivalin e trashëgimisë kulturore i cili do të jetë tradicional dhe do të organizohet për çdo vit, informon MEDIAL.
Ky festival ka filluar me datë 18 korrik, ndërsa do të përfundojë sot, 20 korrik 2018. Pjesë e programit të Festivalit të trashëgimisë kulturore ishin prezantimi dhe njohja nga afër me veshjet tradicionale, gatimin, veglat e punës, traditën dhe kulturën e zonës së Komunës së Zhelinës me ç’ rast u ekspozuan një sërë veshjesh kombëtare, vegla pune dhe relikte që janë përdorur në të kaluarën, veshje dhe shumë specialitete nga kuzhina kombëtare e kësaj zone.
Gjithashtu pjesë e programit të Festivalit ishte edhe ndeshja e shumëpritur e pehlivanëve, vallë dhe këngë kombëtare nga ansamble të ndryshme, muzikë dhe pika humoristike nga artistë të mirënjohur të kësaj zone.