Komuna e Çairit në bashkëpunim me Shoqatën “Shpresa” sot në hapësirat e komunës i kanë dhuruar gjashtë karroca për nevojat e personave me aftësi të kufizuara, të cilat do t’ju ndihmojnë atyre që më lehtë t’i kryejnë nevojat e tyre dhe të lëvizin lirshëm. Karrocat, siç njofton Zyra për informim e Komunës së Çairit, i ka siguruar donatori nga Zvicra, Zimri Arifi, përcjell Medial.mk.
Shefja e Kabinetit, Fisnike Osman falënderoi donatorin dhe Shoqatën “Shpresa” për bashkëpunimin e sinqertë me Komunën e Çairit, duke shpresuar se ky donacion do të inicojë edhe bamirës të tjerë për të ndihmuar kategoritë e ndryshme sociale që kanë nevojë dhe ndihmë. Përndryshe, Komuna e Çairit ka përpiluar Plan aksional për personat me nevoja të veçanta, i cili, siç thuhet në kumtesë, është në realizim e sipër dhe i cili përmban të gjitha elementet dhe standardet që si Komunë ndjejmë për obligim t’i realizojmë me të vetmin qëllim që edhe kjo kategori e qytetarëve të ndjejë lirinë dhe qasjen e barabartë me të gjithë banorët e tjerë të Komunës së Çairit.