Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, ka bërë të ditur se zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për të cilat është duke insistuar VMRO-DPMNE, nuk janë për t’u hedhur poshtë, por me të vetmin arsyetim, nëse ky proces siguron se referendumi do të jetë i suksesshëm.
“Kur opozita të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, duhet të merret me seriozitet, sepse unë e di këtë, sepse vetëm para një viti ne kemi qenë në opozitë. Nëse këtë e garanton një referendum i suksesshëm, që do të thotë që ne përmes këtij procesi t’i nxisim qytetarët të dalin në votime, sigurisht kjo mund të pranohet, apo më mirë të them është opsion i hapur”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
FORMIMI I KSHZ-SË, ZAEV: GRUPET PUNUESE T’I TEJKALOJNË DALLIMET
Zaev po ashtu pohoi se nuk është e vërtetë që partia e tij dhe ai si kryeministër kanë marrë kërkesa nga opozita maqedonase që të lirohen disa të akuzuar nga VMRO-DPMNE, me qëllim që të kalojë përzgjedhja e anëtarëve të KShZ-së, e cila është kyçe për realizimin e referendumit. Ai potencoi se për momentin bisedimet janë fokusuar në drejtim të Ligjit për financimin e partive politike dhe në përzgjedhje të anëtarëve të KShZ-së, si dhe është duke u biseduar edhe mundësia e një qeverie teknike në bazë të Marrëveshjes së Përzhinës, por për këtë Zaev kërkon t’i dëgjojë arsyetimet e VMRO-DPMNE-së
“Unë jam njeri i ndershëm dhe kam dinjitet. Në ligj qartë shkruan se kryeministri do të largohet nga pozita 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare dhe nuk kam ndërmend të qëndroj në këtë pozitë nëse ligji e parasheh një gjë të tillë. Ne arritëm deri tek qeveria teknike e Përzhinës, sepse i ndaluam publikimet e “bombave” dhe të njëjtat i dërguam në PSP, por këta kur ta kërkojnë një gjë të tillë, nuk e di me çfarë arsyetimi e kërkojnë. Dhe unë pres arsyetimet e tyre t’i dëgjoj këtyre ditëve, por nëse nuk i kanë këto arsyetime, nuk e di pse e kërkojnë një gjë të tillë”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Sa i përket Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Zaevi pohoi se nuk ka ndërmend të presë më shumë se deri në përfundim të kësaj jave për t’i përzgjedhur anëtarët e rinj të KShZ-së dhe është duke pritur që këto dallime t[i tejkalojnë grupet punuese. Por, nëse të njëjtat nuk arrijnë deri tek ndonjë Marrëveshje eventuale, sipas Zaevit, ai pret që të ftohet takim i liderëve. (TVM2)