Llogaria përfundimtare për buxhetin e vitit të kaluar u gjet para deputetëve. Në komisionin amë u zhvillua debat i ashpër. Ministri i financave, Tevdovski tha se të ardhurat në arkën shtetërore janë rritur për 6.1% në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa deficiti ishte më i ulët për 27.8 milion euro nga ajo që ishte planifikuar. Ai tha se me rebalancin e bërë janë shkurtuar shpenzimet e panevojshme, është rritur rroga minimale dhe janë rregulluar çështjet me punëtorët e falimentuar. Sipas Tevdovskit, paratë iu janë drejtuar ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërsa qytetarët kishin kontroll më të madh mbi shpenzimin e të hollave shtetërore.
“Shpenzimet kapitale janë realizuar në një nivel historikisht më të lartë në vlerë prej 19.8 miliardë denarëve, ose 85% sa i përket këtij plani dhe janë për 2.9 miliard denarë më të mëdha në krahasim me vitin 2016, ku realizim të mirë kishin IPA projektet. Qytetarët nga viti i kaluar kanë qasje shumë më të madhe në të dhënat e financave publike. Me transparencën fiskale, qytetarët fituan kontroll më të madh ndaj të hollave shtetërore. Deficiti buxhetor është realizuar në nivel prej 1,7% nga BPV dhe është për 1,7 miliardë denarë më e vogël sesa e planifikuara për vitin e kaluar”, tha Dragan Tevdovski – ministër i financave.
Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, rritja e vogël ekonomike është vërtetim se ajo që është premtuar nuk është realizuar, ata gjithashtu thonë se investimet janë ulur, ndërsa borxhet janë rritur.
“Asgjë më mirë. Çfarë të dhëna po na tregoni se keni bërë. Paga minimale, mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ja ku i keni të dhënat në buxhet, në llogarinë përfundimtare, as këtë nuk e keni realizuar. Nga 35 milion, 10 milion vetëm. Projekt i pasuksesshëm. Mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme? Ju në fakt e ulët Maqedoninë për 23 vendet në Raportin e Global Inovation Indeks, në lidhje me mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha”, u shpreh Liljana Kuzmanovska, VMRO-DPMNE. Nga partia Liberal-demokrate thonë se më parë, rritja ekonomike është mbajtur në mënyrë artificiale. Llogaria përfundimtare do të shqyrtohet në seancën plenare. Ndërsa qeveria vitin e ardhshëm pret rritje ekonomike prej 3.2%. Deficiti buxhetor duhet të ulet dhe të arrijë 2,7 përqind të Bruto Prodhimit Vendor. Shpenzimet buxhetore janë projektuar në vlerë prej 211.7 miliardë denarëve, ndërsa të ardhurat në nivel prej 193.5 miliardë denarëve. /tv21/