Autoritetet greke vendosën t’i dëbojnë dy diplomatë rusë nga shteti për shkak të involvimit në arritjen e Marrëveshjes midis Athinës dhe Shkupit për emrin e ri të Maqedonisë. Moska u përgjigj se do t’i shpall për persona-non-grata dy diplomatë grekë si përgjigje ndaj vendimit të tillë të Athinës.
Sipas gazetës greke “Katimerini”, autoritetet në Athinë do t’ua ndalojnë hyrjen në këtë shtet dy diplomatëve rusë për të cilët thotë se kanë pasur aktivitete të cilat nuk janë përkatëse për statusin e tyre diplomatik.
Qeveria greke kumtoi se “Greqia nuk do të tolerojë asgjë që e shkel të drejtën ndërkombëtare”.
“Greqia dëshiron marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet, por të gjitha ato duhet ta respektojnë shtetin tonë. Nuk mund të pranojmë çfarëdo sjellje e cila e shkel të drejtën ndërkombëtare. Për këtë Greqia do të ndërmarrë masa të domosdoshme”, deklaroi zëdhënësi grek, Dhimitris Xanakopulos për televizionin Skaj.
Gazeta publikoi se Qeveria ka sjellë vendim për dëbimin e dy diplomatëve rusë dhe t’ua ndalojë hyrjen në Greqi dy personave të tjerë të cilët i akuzon për involvim në punët e brendshme në shtet dhe për veprime të paligjshme kundër sigurisë kombëtare të Greqisë.
Zëvendësshefi i Komitetit të Këshillit të Federatës së Rusisë për marrëdhënie ndërkombëtare, Andrej Klimov deklaroi se parim kryesor i diplomacisë është reciprociteti.
“Parimi i reciprocitetit zbatohet në raste të tilla pa përjashtim. Ky është parimi kryesor në diplomaci”, deklaroi ai.
Sipas tij, pa një përgjigje të tillë Rusia nuk do të ketë mundësi ta ruaj sigurinë për të punësuarit e vet.
Klimov thotë se Rusia asnjëherë nuk e ka parë Greqinë si aleate të saj dhe partnere në Evropë.
“Vetë fakti se janë në NATO flet gjithçka”, deklaroi ai për mediat ruse.
Athina i akuzoi diplomatët rusë se kanë tentuar të marrin informacione të kundërligjshme dhe u kanë dhënë ryshfet nëpunësve shtetërorë grekë.
Sipas burimeve të larta diplomatike greke, Athina bën thirrje për dëbimin urgjent të dy diplomatëve rusë, mes të cilëve edhe për Viktor Jakovlev nga ambasada ruse.
Burimet e njëjta theksojnë se kjo ndodh pas angazhimeve të shumta të koordinuara për përhapjen e ndikimit rus në Greqi.
Sipas burimeve, për shpërblim me para, diplomatët rusë kanë tentuar ta përfitojnë ndikimin e mitropolitëve në hierarkinë ortodokse greke, në Malin e Shenjtë.