Drejtori i burgut të Strugës, Armend Shaqiri është shkarkuar ditën e sotme nga puna.
Në vendimin e Qeverisë thuhet se shkarkimi nga detyra është bërë me kërkesë të vetë Shaqirit të dorëzuar para dy javësh. Por në kërkesën e tij nuk jepen arsyet për lirimin e tij nga detyra.
Televizioni ALSAT, ndërkaq, nga burime jozyrtare informoi se drejtori i burgut Shaqiri, bashkë me një inspektor policie, janë të dyshuar se kanë shkelur ligjin dhe autorizimet zyrtare duke i lënë në liri trafikantë të drogës. Dhe jo vetëm kaq, por madje i kanë informuar ata edhe për planet e policisë.
Nëse ka pasur dekonspirim apo jo, mbetet të shihet nga hetimet shtesë.
Operacioni, sipas burimeve, ka pasur në fokus, shpërndarës të lëndëve narkotike dhe grupet e tyre, që sipas informatave të para, janë ndjekur edhe me masa hetimore të ndjekjes dhe përgjimit, përfshirë edhe drejtorin e burgut. Mbetet e paqartë nëse drejtori i shkarkuar do të përgjigjet për hetimet e zhvilluara ndaj tij për veprimtari të paligjshme. Nga BDI nuk dëshirojnë që të prononcohen për rastin në fjalë.