Grupi i punës për rishikimin e justifikimit shoqëror dhe profesional të ekzistimit të tre muzeve në kuadër të projektit “Shkupit 2014”, njoftuan se kanë propozuar që Muzeu i tanishëm i Luftës Nacionale Maqedonase, të riemërohet e jo të mbyllet plotësisht.
Grupi i punës në kuadër të Ministrisë së Kulturës theksoi se gjatë analizës së bërë dokumentacionit për ndërtimin e këtij muzeu kanë konstatuar një sërë shkeljesh.
“Shuma përfundimtare që është shpenzuar deri në hapjen e muzeut është 12 milionë euro. Gjatë zhvillimit të punimeve janë shkelur ligjet e buxhetit dhe zbatimi i buxhetit. Është shkelur edhe ligji për muzetë, pasi nuk janë respektuar kushtet për ndërtimin muzeve, përfshirë këtu edhe mospasje të një elaborati. Gjithashtu, nuk është kërkuar as edhe pëlqim nga institucioni amë që është Muzeu i Maqedonisë”,- tha anëtarja e grupit punues, Donka Barxhieva-Trajkovska.
Nga komisioni theksuan se madje janë shkelur edhe parimet e veprimtarisë së muzeut, pasi koncepti i vendosjes është bërë nga profesorët e universiteteve dhe historianë, e jo nga punëtorët e muzeut të cilët janë kompetentë.
Nga Ministria e Kulturës gjithashtu kanë propozuar krijimin e një komisioni ekspertësh që do të krijojë një mjedis të ri historik në muze, ku sipas vlerësimit të grupit të punës, një vend dominues duhet të ketë dokumentet dhe objektet origjinale. Sipas Komisionit, vendosja aktuale e muzeve nuk është shkencore, por teatrale.
ZEKIRIJA MEXHITI