Maqedonia e gëzon përkrahjen e plotë nga të gjitha 29 vendet – anëtare të NATO-s, dhe do të ishte e papranueshme për ne si shtet, ta humbim këtë mundësi, deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska. Në takim me gazetarët, ajo sqaroi se para anëtarësimit të vendi, ka shumë sfida, duke e përfshirë referendumin dhe mosbashkëpunimi me opozitën.
-Ftesa për anëtarësim është hapi i parë, kurse ratifikimi i anëtarësimit nga ana e të gjitha vendeve anëtare është hapi përfundimtar. Diku në mes janë edhe vendimet tona – referendumi, ndryshimet kushtetuese dhe çështjet e tjera. Por, ky hap i parë do të na japë mundësi që të ndjejmë se pas 10 vitesh kemi arritur ta zgjidhim problemin, që na ka penguar në atë moment. Është fakt se me përfundimet e Samitit dhe me pjesëmarrjen e kryeministrit në takimin e dedikuar për Afganistanin, do të tregojmë se Maqedonia tashmë po sillet si anëtare, dhe i merr përsipër obligimet si anëtare, dhe se është partner, mbi të cilin Aleanca mund të mbështetet.
Nga LSDM akuzojnë se VMRO-DPMNE qëllimisht i bllokon proceset pasi që siç thonë, opozita e di se cili do të jetë rezultati i referendumit dhe kanë frikë nga vullneti i qytetarëve.
Edhe ish deputeti dhe kryetari aktual i Këshillit Euro-Atlantik të Maqedonisë, Ismet Ramadani thotë se obstruksionet më të mëdha në Maqedoni në periudhën e ardhshme do të vijnë nga VMRO-DPMNE, ndërsa referendumi është sfidë e madhe.
Sipas tij, mirë është ajo që referendumi do të mbështetet nga shqiptarët. Siç thotë ai, të gjithë e dinë se pothuajse të gjithë shqiptarët janë pro integrimit të vendit në NATO dhe EU.
Ndërsa të mërkurën në Samitin e NATO-s, pritet Maqedoni edhe zyrtarisht të marrë ftesë për anëtarësim. Një nga kushtet më të rëndësishme është implementimi i tërësishëm i marrëveshjes rreth emrit me Greqinë. Kjo do të thotë se së pari duhet të kemi referendum të suksesshëm, dhe pastaj të zbatohen ndryshimet kushtetuese. Pasi marrëveshja me Greqinë të publikohet në Gazetën Zyrtare, duhet të ratifikohet edhe në Kuvendin grek. Në rast se referendumi nuk kalon me sukses, sipas deklaratave të ekspertëve, i gjithë procesi për anëtarësim në NATO bie poshtë dhe Maqedonia kthehet në pozitën fillestare.
Përgatiti: Bajram Memeti