Të nderuar dashamir, të dashur familjar, të nderuar drejtues të Institutit Albanologjik, të nderuar deputet dhe ministra, i respektuari z. Ali Ahmeti. Ju faleminderit shumë.
Ditën e sotme nuk e bën të veçantë vetëm përvjetori për të cilin jemi tubuar, por e sotmja për mua dhe familjen time bëhet e posaçme edhe nga njerëzit si ju që përkujdesen për të përkujtuar personat e dalluar të shoqërisë, në këtë rast Duron tim e tonin, andaj, në emër të Fatonit, Meritës dhe Norës, nipave dhe mbesave, por edhe në emrin tim dhe të gjithë neve, ju faleminderit për organizimin dhe që jeni bashkë me ne sot në nderimin e figurës së Abdurrahmanit.
Të dashur dashamir, dikush që dhuron aq shumë për ta kujtuar nuk harrohet dot, dhe janë këto çaste kujtese që zbusin mungesën edhe pse asnjëherë nuk zëvendësojnë prezencën.
Unë miq, më Duron flas çdo ditë. Unë Duros i tregoj çdo gjë, për fëmijët, për nipat e mbesat, por edhe për përditshmërinë. Por ama, për këtë ngjarje të sotme nuk i tregova. Nuk i tregova sepse thash me vete që duke folur këtu para juve që sot po nderoni atë dhe neve, do të jeni pikërisht ju ata që do të ndani një çast nga dita e sotme për t’ia përcjellur Duros një moment të vetëm të kujtesës gjatë jetës tuaj që keni pasur me të. Ta befasojmë bashkë sot.
Unë kisha kohë pa folur për Duron në publik dhe duke e kujtuar modestinë e tij më vajti mendja që të ndaj me ju një anekdotë rastësore me të. Vite me radhë e lusja që t’ma blejë një veturë për nevojat familjare sepse ai gjithnjë ishte i zënë. Një ditë të vetme, morra guximin dhe e bleva veturën vet, pa dijeninë e tij. Dhe pikërisht atë ditë, u kthye në shtëpi më herët si zakonisht dhe e kishte vënë re veturën jashtë.
Nuk më foli për orë të tëra dhe në fund, i hidhëruar, më tha bëhu gati se duhet të shkojmë në një vend. Në restorantin në Tetovë na priste ish Ambasadori shqiptar Shaban Murati i cili vuri re hidhërimin e Duros dhe pyeti ç’ka ndodhur?
Ia shdpjegova rastin dhe z. Murati u ngrit në këmbë dhe tha: ju zonjë, keni përkrahjen dhe miratimin e shtetit shqiptar për këtë punë. Ma uruan të gjithë bashkë me Duron i cili tha, u bë mirë se nuk duroja më tepër pa të të folur.
Duroja e donte familjen, e donte kombin, donte edhe që mjeku të merrej me shëndetin e pacientit, arsimtari me dijën e nxënësit, politikani me politikën, jo atë të ditës, por atë të nesërmen.
Të dashur miq, Duroja ishte Deputet në Kuvend për 12 vite radhazi dhe në një çast të vetëm, kur u zgjodh në mandatin e tij të katërt, vlerësoi që është mjaft dhe e dorëzoi mandatin duke i prirë dhënies së shansit gjeneratave të reja, por edhe forcave politike pasuese dhe trashëguese që erdhën në skenë.
Kur më thanë që po organizohet një Akademi Përkujtimore, nuk mund të përmbahesha pa mos thënë edhe dy fjalë edhe për aktualitetin ashtu siç do ti kishte thënë ai.
Duroja angazhoheshe dhe punoi çdo ditë të jetës së tij dhe veprimtarisë shoqërore për barazi, për përkatësi dhe orientim perëndimor, për Evropë, për NATO. Jo gjithmonë u kuptua drejt, por koha, koha të dashur miq është dëshmia dhe argumenti më e mirë për çdo gjë në jetë.
Sot, jam e lumtur që shoh këto vlera, për të cilat veproi Duroja, të mëshiruara tek ju dhe që po realizohet ajo për të cilën angazhoheshte dhe punoi edhe Duroja, integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe barazi të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo është rruga e drejtë, kjo është rruga e vetme, dhe z. Ali, ju uroj t’ju prijë e mbara në realizimin përfundimtar të këtij përcaktimi tonin kombëtar.
Familja ime sot ndjehet shumë e nderuar. Kur nderon të tjerët, ke nderuar vetën. Sot ju, pas një kohe të gjatë jeni pranë familjes së Duros ashtu siç ai ka qenë pranë jush në të kaluarën dhe siç do të jemi unë, Fatoni, Merita e Nora nesër. Gëzohuni jetës, krijoni momente kujtesë që nesër të gjeni strehim e ngushëllim në çdo gaz, në çdo hare, në çdo gëzim, në çdo çast të vlefshëm të jetës me më të dashurit e juaj. Nga zemra e shpirti, faleminderit!