Në rajonin e Tetovës dhe të Gostivarit, gjatë këtyre ditëve kanë ndodhur disa aksidente trafiku, ku pjesëmarrës kanë qenë motoçiklistët, në të shumtën e rasteve pa leje për vozitje. Bilanci i këtyre është aksidenteve është dhjetëra persona të lënduar, shkruan gazeta KOHA.
“Duke patur parasysh se ka filluar sezoni ku me intensitet të lartë shfrytëzohen motoçikletat në shumicën e rasteve nga të rinjtë dhe jo rrallë herë edhe nga persona të mitur, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë edhe njëherë ju rikujton se për të drejtuar motoçikletë, është e nevojshme që personi të posedojë leje adekuate sepse në të kundërtën – do të ballafaqohet me kundërvajtje ku gjoba në të holla për këtë lloj kundërvajtje është 300 euro në kundërvlerë të denarit, gjithashtu po aq dënimi është për personin i cili ja ka ofruar kundërvajtësit motoçikletën e tij në shfrytëzim”, thotë zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Xhaferi.
Sipas policisë, ata të cilët do të zbulohen se i drejtojnë motoçikletat e tyre pa regjistrim apo me regjistrim të skaduar, gjithashtu do të ballafaqohen me gjoba të cilat lëvizin prej 100 deri 500 euro, ndërsa ata të cilët nuk posedojnë dhe nuk shfrytëzojnë helmetë mbrojtëse, do të ballafaqohen me gjobë prej 50 euro në kundërvlerë të denarit.
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë gjatë dy muajve të kaluar ka realizuar më shumë aktivitete kontrolli, ku në qendër të vëmendjes ishin kjo kategori e pjesëmarrësve në komunikacion, të cilat me intensitet të rritur, do të vazhdojnë deri në fund të këtij muaji dhe muajit të ardhshëm. Kjo, për shkak se pritet ardhja e një numri të madh i të punësuarve jashtë vendit, ku edhe dukshëm do të ritet dinamika e përgjithshme, gjegjësisht frekuentimi në trafik, nëpër rrugët e Tetovës dhe të Gostivarit, dhe në rrugët anësore rajonale dhe lokale. (koha.mk)