240 fotografi të gjendjes së rrugëve të qytetit të Tetovës dhe rrethinës ishin pjesë e ekspozitës që ASH, dega Tetovë, paraqiti para objektit të komunës së Tetovës ditën e sotme. Nga kjo parti ngritën pyetje deri tek kreu i komunës për siç theksuan, gjendjen alarmante të infrastrukturës së Tetovës, por nga komuna u përgjigjën me dozë ironie.
Dega e ASH-së – Tetovë, nëpërmjet një ekspozite me gjithësej 240 fotografi solli para objektit të komunës gjendjen e infrastrukturës së komunës së Tetovës, malësisë dhe vendbanimeve të kësaj komune. Altrim Mamuti, nga ASH, deklaroi se gjendja e rrugëve në Tetovë është alarmante, qytetarët paguajnë rregullisht mirëmbajtjen e rrugëve nëpërmjet sigurimit të automjetit të tyre, ndërkohë që paguajnë 10 fish më shumë për rregullimin e automjeteve që i amortizojnë gjatë vozitjeve nëpër rrugët e shkatërruara të Tetovës. Mamuti poashtu drejtoi pyetje për kreun e komunës se pse Tetova është në këtë gjendje.
‘Sot jemi para objektit të komunës ku kemi hapur ekspozitën me 240 fotografi dhe me më shumë se 3 mijë gropa dhe kjo është vetëm një përqindje e vogël nga gjendja reale në qytet. Sot nga këtu, pyesim kryetaren e komunës: Për çfarë arsyje nuk i mirëmbani rrugët e Tetovës me rrethinë? Për t’i shkaktuar dëme material dhe ekonomike qytetarit, për t’ua vështirësuar komunikacionin apo për qëllime të tjera më të ulta?’
Ndërkaq, nga komuna e Tetovës, pyetjeve të parashtruara nga ASH, i janë përgjigjur me doza ironie dhe duke shtuar se partitë politike janë të lira për të bërë aktivitetet e tyre.
‘Ashtu siç të gjitha institucionet në Republikën e Maqedonisë duhet ta kryejnë fushëveprimin dhe punën e tyre, edhe gastronomia duhet ta kryejë punën e vet, megjithatë, zgjedhjet përfunduan, rezultati ishte ai që ishte, dhe normalisht partitë politike janë të lira të bëjnë aktivitetet e tyre.’
Përndryshe, dega e ASH-së Tetovë kohëve të fundit ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh në rrafshin lokal, siç thonë për të shfaqur para opinionit premtimet e parealizuara të pushtetit lokal. /Bleron Jakupi/