Ismail BARDHI
“Dikur ishim të shqetësuar për moralitetin e teorive tona – sot jemi të shqetësuar për mundësinë e amoralitetit të asaj që ndërtojmë.”
Martin Richardson
Profesionalisht mbase nuk kam të drejtë të shkruaj për arkitekturën apo për artin, por besoj se kam të drejtë të shkruaj për atë që më shqetëson shpirtërisht dhe mendërisht, e kjo është ajo që e shoh rastësisht, ajo që e shoh detyrimisht, e që është vendi ku jetoj i rrethuar me gjithçka “anti-”. Vendi ku jetoj është me rrugë e pa rrugë, me parkingje e pa parkingje, me ndërtesa me dhe pa plan/leje, me ajër të ndotur dhe me ankth të vërtetë – pikërisht siç thuhet tek ne: “nuk marr dot frymë”! Është shkuar aq larg në këtë rrugë të dëmshme saqë edhe sheshet janë bërë përsheshe. Në sheshin e madh ke frikë të shëtisësh nga “anti-arkitektura”, “anti-arti” dhe “anti-arsyeja”, kurse ai sheshi (që i thonë) i vogël është plot nënçmim dhe dështim, duke filluar nga pamja vizuale e deri te paradoksi i figurës së bustit që është shndërruar në “pust”. Roli i shesheve ka qenë që njerëzit të shoqërohen, të informohen, të jetojnë bashkërisht dhe po nëse eventualisht “humbin” aty ta kenë pikëtakimin. Të gjitha këto sot janë “anti-”.
Si duket e tërë kjo “fuqi mendore” mbështetet thjesht mbi “arsyen”, e arsyeja është se ne jetojmë në një shtet që e mbështet lëvizjen e vet kulturore-shoqërore e politike mbi përqindjen. Një grumbull i këtij shteti thotë se: “jam mbi 60%”; tjetri thotë: “jam mbi 27%”; të tjerët thonë “jemi 0.1%” e kështu me radhë. Pa u futur në atë se kush ka dhe a ka të drejtë, ne si duket nuk e kuptojmë domethënien e përqindjes; ka mundësi të jemi në politikë me përqindje, por në jetë dhe frymëmarrje, në kulturë dhe vdekje nuk ka përqindje. As në arkitekturë. Por, si duket këtu tek ne është duke dominuar përqindja, ne e ndërtojmë dhe rindërtojmë kulturën profane e sakrale në mënyrë të gabuar, natyrisht duke u bazuar në përqindjen. Kjo do të thotë se ne asgjë nuk kemi qind për qind; dhe se neve qind për qind na mungon diçka e vogël qind për qind dhe diçka e madhe qind për qind.
Po e përsëris: qyteti ynë e ka humbur fizionominë e normales, qyteti e ka humbur kuptimin e të jetuarit normalisht, në qytet nuk dihet fare si të jetohet. Shikoni se çfarë bëhen qendrat tona, ne i kemi humbur ato me ndërtime pa leje, pa normalitet; është shkuar aq larg saqë është manipuluar edhe me mendjen e “27 përqindëshit”, siç thotë edhe Amik Kasoruho në veprën e tij “Shqipëria – ankthi dhe ëndrrat”: “një popull i çorientuar, i zënë në befasi, i mashtruar në shpresat e veta dhe i braktisur në fatin e vet; i privuar prej atyre personaliteteve që do të mund të kundërviheshin…” A nuk është një dështim i këtillë edhe “sheshi” Skënderbeu?!? (Për)shesh se jo shaka! Lëre brendësinë e këtij sheshi, por nënçmimi që i është bërë “25%”-shit zyrtar. Në vend që të ishte në një shesh ku do të mund të shëtitej siç ka hije, ku nuk do të nënçmohej kultura e një populli të lashtë, ku do të dëshmohej bashkëjetesa dhe normaliteti i jetës, dalin kokat e djemve të njeriut “që nuk është dashur të vdesë” dhe “vendosin” për fatin e pafat të kulturës dhe historisë në emër të së cilës thirren.
Meqë u përmend më lart termi “anti-arkitekturë”, do të ishte e rendit që t’i themi ca fjalë edhe për këtë prirje të veçantë, kontestuese në panoramën e mendimit arkitektonik bashkëkohor, përmes së cilës i njëjti mendim e manifeston vetëdijen për krizën e vet ideologjike dhe morale. Në kuptimin më të gjerë, nëse kihet parasysh fakti që zhvillimi i arkitekturës varet drejtpërsëdrejti nga parakushtet materiale e ekonomike, mund të përfundohet se “anti-arkitektura” është edhe simptomë e krizave të mëdha ekonomike e politike të Perëndimit dhe jo vetëm. Zhvillimi i arkitekturës moderne ka qenë në shenjën e përpjekjes së vazhdueshme të protagonistëve të saj për t’u integruar në sistemet ekzistues dhe për të marrë mbi vete përgjegjësi më të mëdha. “Anti-arkitektura” e ndërpret këtë traditë të bashkëpunimit me sistemin dhe shpreh pesimizëm radikal në aspekt të ardhmërisë së saj. Me fjalë të tjera, para pamjes së falimentimit të sistemit “anti-arkitektura” e tërheq bashkëpunimin e ofruar, ngase nuk dëshiron ta ndajë përgjegjësinë për katastrofat e sotme dhe të ardhshme.
Bërthama ideologjike e “anti-arkitekturës” u krijua në përvojat e lëvizjeve kontestuese të të rinjve nga fundi i viteve të 1960-ta. Në fakultetet e arkitekturës evropiane, asokohe u gjet një barazim i thjeshtë: arkitektura është kundërrevolucionare ngase orvatet t’i përmirësojë kushtet jetësore “të njeriut një-dimensional”, në vend që t’i përkeqësojë dhe kështu të kontribuojë për krijimin e kushteve para-revolucionare. Në pajtim me idenë e njëjtë, të cilën e mbështeti edhe pjesa më e madhe e kuadrove mësimdhënës, atëherë për disa vite me radhë u ndërprenë studimet e arkitekturës dhe u zëvendësuan me mësimin e marksizmit, si bazë për shqyrtimet kolektive, vetëkritike të raportit mes arkitekturës dhe kapitalizmit. Nga kjo përvojë mbiu edhe “anti-arkitektura” si një alternativë e veçantë, kontestuese me proklamatat luftarake e nihiliste se qëllimi përfundimtar i arkitekturës është shkatërrimi i vetë arkitekturës.
Përkundër parimit të proklamuar të refuzimit të sistemit, “anti-arkitektura” është e integruar në sistemin tregu i të cilit i blen idetë dhe projektet dhe aksionet e saj. Në shumë vende perëndimore madje edhe ndërtimtaria komerciale i ka pranuar idetë e “anti-arkitekturës”, duke miratuar dhe realizuar projekte të rrënojave artificiale. Njëri nga anti-arkitektët më të shquar të asaj mode të rrënojave artificiale, James Wines, është deklaruar se frymëzohej nga “filmat e katastrofës”: “Çfarë u pëlqen njerëzve tek filmat e katastrofës? U pëlqen ajo se në një sekondë simboli kryesor i opresionit të përditshëm bëhet ajo që tek e fundit edhe është: një grumbull materiali ndërtimor. Teksa rrënohen rrokaqiejt, provinciali dhe proletari ndihen sikur me këtë janë hakmarrë për shkak të qirave tepër të shtrenjta, për shkak të sigurimit social, për shkak të shërbimit dhe portierit që duhet t’i paguajnë.”
Me fjalë të tjera, rrënojat artificiale të “anti-arkitekturës” u përgjigjen nevojave të thella të konsumatorëve, nevojave për hakmarrje ndaj qytetërimit urban të urryer, dhe do të shtoja ndaj kulturës së bisedës, dëgjimit, heshtjes dhe bukurisë. Këto rrënoja artificiale janë pamje të fiksuara të ndryshkjes dhe shpërbërjes, rrënimit dhe shkatërrimit. Duket sikur cepat e ndërtesës janë të shtrembër, sikur llaçi nga muret është duke rënë, sikur një ortek tullash derdhet nëpër një të çarë të madhe. Përmbajtja ideologjike e arkitekturës së rrënojave artificiale qëndron mbi “rebelimin plot pasion kundër fashizmit të planifikimit urban”; është ky “interpretim pozitiv i negatives”, “kërkimi pas asaj më Pak, në botën e rrethuar nga ajo më Shumë.”
Megjithatë, duhet vërejtur se shfrytëzuesit e rrënojave artificiale janë pjesëtarë të elitës financiare. Për shkak të zbatimit të procedurave tejet të shtrenjta për fiksimin e pamjeve të rrënimit apo shpërbërjes, rrënojat artificiale janë pikërisht shprehje e opsesionit pas “asaj më Shumë”, si shenjtë e qarkullimit dialektik të opsesionit të njëjtë. Mirëpo, kërkesat për rrënoja artificiale e stimulojnë zhvillimin e teknologjisë ndërtimore, prandaj nuk është e rastit se këtë modë e mbështesin pikërisht koncernët ndërtimorë të mëdhenj. Edhe në atë shembull dëshmohet integrimi i plotë i lëvizjeve kontestuese kundër integrimit në sistem, rebelimi i të cilave e zhvillon dhe zgjeron po të njëjtin sistem.
Sidoqoftë, edhe jashtë këtij konteksti ideologjik-konsumator “anti-arkitektura” është simptomë e madhe e krizës së kulturës moderne. Ajo e përtërin, në kushte specifike, modën e rrënojave artificiale të kopshtit anglez të shekullit të 17-të. Rrënojat artificiale të përmendoreve antike në kopshtin anglez kanë qenë shprehje të modës së nostalgjisë artificiale për botën e vlerave antike, për traditën e humbur. Për klasën ngadhënjimtare, borgjeze, klasën e lolove pa vlerë dhe traditë, rrënojat artificiale ishin një mënyrë e paraqitjes së rrejshme, mbulimit apo plotësimit iluzor të zbrazëtirës dhe çrrënjosjes. Rrënojat artificiale të shekullit të 17-të ishin një shprehje më e ulët apo degjeneruese e idealeve të kulturës humaniste, që mbështeteshin mbi modelet antikë. “Idealet” e kulturës moderne të shekullit të 21-të janë në shenjën e vullnetarizmit nihilist dhe shkatërrimit të vlerave, ndërprerjes së çdo tradite dhe prandaj rrënojat artificiale të metropoleve duhen shikuar si shenjë e realizimit praktik apo shprehjes konkrete të “idealeve” shkatërrimtare po të njëjtë që e përcaktojnë snobizmin e klasës ngadhënjimtare, të menaxherëve. Mirëpo, në këtë rast, fasadat e snobizmit të ri nuk e kanë funksionin e mbulimit apo paraqitjes së rrejshme: e jashtmja në mënyrë të përkryer përputhet me brendësinë.
Pas gjithë kësaj që u tha, nëse në vend të “rrënojave artificiale” vetëm për pak i kujtojmë “rrënojat reale” apo “klasicizmi dhe baroku” të pasqyruara në ndërtimet e reja dhe fasadat gjithandej në sheshin e kryeqytetit, dhe jo vetëm, atëherë lirisht në vend të “anti-arkitektura” mund të shkruajmë “Shkupi 2014”. Por, tek ne në ditët tona, “anti-arkitektura” nuk ka fare ndonjë mbështetje në idetë “revolucionare”, në mësimet kulturore. Është vetëm një shëmtim i pashpjegueshëm, që tek fëmijët shkakton atë frikën për të jetuar, sepse as figurat e kafshëve, as të njerëzve nuk janë normalë. Vetëm tek ne mund të shihet përballë ministrisë së “drejtësisë” një “cub” i armatosur.
Besoj se ky shkrim nuk ka përfundim më të qëlluar, sesa parafrazimi vulgar i shkrimtarit M. Jergoviq, i cili e përshkruan momentin e lindjes në spital, kur në atë çast në korridor lehin qentë. Mjeku i tërbuar e heq maskën dhe çirret duke sharë “Ta … shtetin ku lindin fëmijë e nëpër korridore lehin qen.” Për arsye se nuk dëshiroj të përdor një shprehje të tillë, unë vetëm mund ta përsëris atë që u tha më sipër: vaj halli qytetit dhe kulturës ku ndërtohet bazuar mbi përqindjen, ku zihet frymëmarrja e të jetuarit nga rrugët pa rrugë, nga parkingje ku nuk parkon njeri, e ku të gjithë parkojnë aty ku s’ka vend për parkim, dhe nga (për)sheshet ku njerëzit humben e nuk gjenden. T’i lutemi Zotit për ndihmë.
Ismail Bardhi
12/12/2015