Kryeministri Zoran Zaev i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe ministri i angazhuar për Diasporën Edmond Ademi, realizoi takim me fituesin e çmimit Nobel për fiziologji dhe mjekësi, Ferid Murad.
Siç kumtoi shërbimi qeveritar për media, në takim është biseduar për vizionet e Qeverisë për shoqëri multietnike – një shoqëri për të gjithë, për proceset reformuese, marrëdhëniet e ripërtërira fqinjësore me shtetet fqinje, si dhe për aspiratat euroatlantike të Maqedonisë.
Në këtë profesori Murad theksoi se bota tashmë flet pozitivisht për Republikën e Maqedonisë dhe theksoi se realizimi i integrimeve euroatlantike vendit do t’i sjell perspektivë dhe investime, të domosdoshme për krijimin e mundësive të reja për ardhmëri më të mirë për të rinjtë dhe do t’i tërheqin mërgimtarët të kthehen dhe të veprojnë në vendet e tyre.
Nobelisti Murad, gjatë takimit, kryeministrit Zaev i ofroi propozime konstruktive për përmirësimin e arsimit dhe sistemit shëndetësor, si dhe hapjen e qendrave shkencore-hulumtuese, duke i këmbyer përvojat personale nga SHBA-ja dhe prej më shumë vende në botë, ku ai ka punuar, është profesionalizuar dhe ku tashmë shumë vite është profesor në shumë universitete.
Ferid Murad është mjek dhe farmacist i njohur botërisht, fitues i çmimit Nobel për fiziologji dhe mjekësi në vitin 1998. Me origjinë nga Lakavica e Gostivarit, pikërisht për shkak të kësaj lidhje edhe spitali i Gostivarit e mban emrin e tij. Është autor i një numri të madh të punimeve shkencore nga sfera e farmakologjisë klinike.