Bashkimi demokratik për integrim ka bllokuar reformat në shëndetësi për të mbrojtur kulltuket e dy drejtorëve të saj ekonomik. Bëhet fjalë për dy drejtor ekonomik kuadro të BDI, Ridvan Ibrahimi në Klinikën e fëmijëve dhe Hisen Ameti në Klinikën e reumatologjisë, prej tetë drejtorëve sa është numri i përgjithshëm në Qendrën Klinike në Shkup.
Portali “Sakam da kazam” këtë javë ka shkruar se ndryshimet e ligjit për shëndetësi, të cilat parashohin heqjen e drejtorëve ekonomik të klinikave, janë bllokuar për shkak të kundërshtimit të zëvendës kryeministrit për çështje evropiane, Bujar Osmani. Propozim ligji ka qenë në rend dite një muaj më parë në seancën e 67 të Qeverisë, por është tërhequr nga ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, pa dhënë ndonjë sqarim. Sipas portalit, BDI do të bllokojë reformat në shëndetësi deri sa nuk u gjen vende të tjera pune për drejtorët e saj të klinikave.
Zëvendës kryeministri Bujar Osmani, ka injoruar pyetjet e Almakosit për të sqaruar spekulimet në opinion lidhur me ndryshimet e ligjit për shëndetësi. Nga Qeveria kanë konfirmuar se pika është tërhequr nga rendi i ditës i seancës së ardhshme të Qeverisë, duke shtuar se për detaje tjera duhet të drejtohemi në ministrinë përkatëse.
Në një prononcim me shkrim Ministria e shëndetësisë thotë se po shqyrton mundësitë për heqjen e pozitës së drejtorit organizativ në institucionet shëndetësore publike, e cila duhet të bëhet me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kujdesin Shëndetësor.
“Sakam da kazam” shkruan se kryeministri Zoran Zaev ishte i zënë me çështjen e emrit dhe këtë pikë nuk e ka vënë në qendër të vëmendjes që të mos shkaktojë tensione të panevojshme me partnerin qeveritar. Heqjen e drejtorëve ekonomik e kishte kërkuar edhe ish ministri i shëndetësisë, Arben Taravari, i cili këtë veprim e kishte arsyetuar me reduktimin e shpenzimeve, sepse klinikat janë me borxhe prej mbi 50,000 euro, ndërsa pagat e këtyre drejtorëve arrijnë shumën prej 1 mijë deri 1,500 euro. Këto mjete ai premtonte se do t’i përdorë për të shpërblyer mjekët më të suksesshëm.
Përgatiti: E vi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com