“Strategjia për zhvillimin e sferës mediatike – nevojat sfidat dhe aktorët” ka qenë tema e panelit ku ndër të tjera janë sjellë edhe përvojat e vendeve fqinjë dhe evropiane për mënyrën sesi janë nxjerrë nga kriza mediat e shkruara dhe vizive, por edhe si janë hartuar strategjitë për zhvillimin e tyre afatgjatë
Evis HALILI
Shkup, 22 qershor – Ekspertë dhe përfaqësues të mediave kanë përsëritur nevojën urgjente për ndërmarrjen e hapave konkretë nga Qeveria për reformat në media, liberalizimi ne tregut dhe subvencionimin e tyre gjatë debatit të organizuar nga Instituti Maqedonas i Mediave, shkruan gazeta KOHA.
“Strategjia për zhvillimin e sferës mediatike – nevojat sfidat dhe aktorët” ka qenë tema e panelit ku ndër të tjera janë sjellë edhe përvojat e vendeve fqinjë dhe evropiane për mënyrën sesi janë nxjerrë nga kriza mediat e shkruara dhe vizive, por edhe si janë hartuar strategjitë për zhvillimin e tyre afatgjatë. Sllovenia dhe Kroacia në vitin 2016 kanë përfituar përkatësisht me nga 94 milionë euro dhe mbi 160 milionë euro, si edhe subvencione direkte dhe indirekte për mediat. Brankica Petkoviq, eksperte e politikave mediale nga Instituti i Paqes në Lubjanë përmes një sërë shembujve ka thënë se ndryshimet në sistemin e financimit të mediave kanë dhënë rezultate pozitive dhe kanë sjellë ndryshimeve thelbësore në Serbi, Kroaci.., ku në pjesa më e madhe e këtyre strategjive janë hartuar si pjesë e politikave të qeverive të këtyre vendeve për anëtarësimin në BE. Duke iu referuar situatës ku gjenden mediat në Maqedoni, ku ende nuk ka përfunduar procesi i reformave, Petkoviq ka vënë në dukje se qeveria duhet të reagojë për të mos lejuar mbylljen e mediave dhe përkeqësimin e situatës.
“Në hartimin e strategjisë për mediat duhet të përfshihen ekspertët më të mirë të mundshëm. Për shembull, Ministria e Kulturës e Kroacisë ngriti një grup më 48 anëtarë që punuan për strategjinë, në Slloveni janë zhvilluar me mijëra debate deri në hartimin e strategjisë. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe këtu, duhet të angazhohen ekspertët më të dalluar nga këto sfera, por edhe paralelisht të punohet jo vetëm për këto ndryshime sistematike, por edhe për përmirësimin e krizës ku ndodhen mediat. Asgjë nuk mund t’i lihet spontanitetit, por duhet të punohet sistematikisht”, ka thënë Petkoviq.
Disa prej modeleve që mund të ndjekë Maqedonia, e cila prej vitit 2005 nuk jep asnjë lloj asistence financiare, për subvencionimin e mediave në momente krize i ka përmendur kryetari i Asociacionit të mediave të shkruara, Lirim Dullovi, botues i KOHA.
“Franca ka akorduar 1 miliardë e 238 milionë euro, Gjermania, 528 milionë, Italia 661 milionë, Britania e Madhe 748 milionë, SHBA 804 milionë, madje Finlanda i ndihmonte me mediat e shkruara me 315 milionë euro në vit. Tek ne prej 13 vitesh nuk jepet asnjë lloj ndihme. Pse? Sepse ekspertët ende kanë dilema nëse duhet t’i ndihmohet kësaj industrie, ose jo….. Zgjidhjen më të mirë e ofrojnë gjithmonë ato për të cilët hartohen këto masa. Askush më mirë se prej nesh nuk e di se çfarë na duhet, cilat janë rregullat e lojës së ndershme që nuk na konfrontojnë me asnjë media. Kërkesat tona ia kemi drejtuar Qeverisë, e cila tani e ka shansin që njëherë e përgjithmonë t’i heqë kanxhat nga mediat përmes miratimit të modelit të propozuar, për të cilin akoma s’kemi asnjë sinjal”, ka thënë Dullovi.
Gazetari Mirçe Jovanovski vëren se qeveria edhe pse deklarativisht nuk është kundër subvencionimit, prapëseprapë nuk ka një koncept të qartë sesi do ta realizojë. Duhet të precizojë se cilët sektorë të sferës mediatike duhet të fuqizohen, si mediat e shkruara, mediat e bashkësive etnike…, e të tjera. Drejtori i Agjencisë së shërbimeve audiovivizuale, Zoran Trajçevki ka potencuar se gjenden në një fazë delikate, ku institucioni i ka opsionet e mbyllura për të vepruar, përderisa ende nuk është miratuar korniza ligjore.
“Jemi në një periudhë ku as ne dhe as mediat nuk dinë ç’të bëjmë. Në mungesë të një kornize ligjore, strategjie konkrete është vështirë të veprohet. Në ndërkohë kemi propozime, siç është ai i subvencionimit të mediave të shkruara, por deri sa të hartojë qeveria strategjinë kam frikë se nuk do të ketë se kë të financojë”, ka thënë Trajçevski. Gjatë konferencës, drejtoresha e IMM, Bijlana Petkovska, ka prezantuar edhe tre publikime, si pjesë e projektit për reformat në media që financohet nga BE. (koha.mk)