Çmimi blerës i domateve në Tregun me shumicë sot pësoi ulje në pesë denarë për kilogram, reagojnë përfaqësues të shoqatave bujqësore nga rajoni i Strumicës. Thonë se një gajbë prej dhjetë kilogramë blihet prej 50 deri në 60 denarë, që për ta nuk është e pagueshme.
Sipas bujqve, çmimi i zvogëluar blerës i domateve është meritë e cilësisë së dobët, ndërsa edhe deri tani duhet të mblidheshin.
“Nëpër serra ka ende domate, ndërsa nuk ka interes për to. Çmimi blerës i domateve cilësore është 15 denarë për kilogram, ndërsa akuzat se kjo kulturë kopshtare blihet për pesë denarë për kilogram, u dedikohen prodhimtarisë jocilësore, e cila vendin nuk e ka në treg, por në kapacitetet përpunuese”, thotë Koce Bozhikov, bujk nga fshati Dabile.
Sipas tij, çmimi blerës prej 15 denarë është i ulët, por për momentin atë e cakton raporti i ofertës dhe kërkesës. Ai shton se edhe krahas asaj që sipërfaqet e mbjella me domate janë zvogëluar, megjithatë çmimi vazhdimisht bie.
“Sipërfaqet me domate janë zvogëluar për 40 për qind në krahasim me vitet e kaluar dhe në vend që të kemi çmim më të lartë, ndodh e kundërta. Siç shkon puna mund të ndodhë që domatet e hershme të ndërpriten së kultivuari. Përveç kësaj, kemi vërejtje nga tregtarët se ka shumë lloje të përziera në prodhimtarinë tonë që nuk u përgjigjet tregjeve ku eksportohet”, shpjegon Bozhikov.
Konsideron se nevojitet hapje e qendrës distributive dhe prodhimtaria blerëse të bëhet sipas llojeve, ndërsa jo të paketohet në një vend.
Me këtë, siç thotë Bozhikov, do të ndahet prodhimtaria cilësore nga ajo jocilësore, gjegjësisht do të kuptohet se cilët domate janë për në treg, e cilat për kapacitetet përpunuese.
Edhe blerësit konfirmojnë se domatet cilësore blihen për 15 denarë për kilogram, por ankohen për cilësinë.
“Domatet cilësore blihen për 15 denarë për kilogram. Në Tregun me shumicë ofrohet ajo që nuk blihet në pikat blerëse. Gjithsesi, ky çmim është i ulët për bujqit, por i tillë është për momentin, raporti midis ofertës dhe kërkesës”, thotë blerësi Bllagoj Vitanov.
Një pjesë e bujqve thonë se kompetentët duhet të mendojnë për intervenim në blerjen e domateve, madje edhe për një stimulim të caktuar për tregtarët dhe përpunuesit që ta blenë turnusin e sivjetmë të prodhimtarisë së domateve.