Kuvendi i Maqedonisë ratifikoi marrëveshjen për ndryshimin e emrit me votat e 69 deputetëve të shumicës parlamentare, ndërsa opozita bojkotoi votimin duke kërkuar vlerësim e saj nga Komisioni Venecias. VMRO-DPMNE ka përsëritur akuzat kundër Qeverisë se po i shmanget debatit për marrëveshjen me Greqinë.
Kryeministri Zoran Zaev është përgjigjur se marrëveshja zgjidh çështjen tre dekadëshe që ka bllokuarintegrimin e vendit, dhe se vendimin përfundimtarë për këtë çështje do ta japin qytetarët në referendum.
“Para tre ditëve kemi nënshkruar fillimin e fundit të paqartësive. Zgjidhje e dinjitetshme për të dyja palët. Gjuha dhe identiteti nuk do të shkelen nga marrëveshja”, tha kryeministri Zaev nga foltorja e Kuvendit.
Dokumenti i marrëveshjes i është dërguar presidentit Gjorgje Ivanov, i cili tashmë e ka bërë të qartë se nuk do ta dekretojë. Ivanov ka thënë se nuk i trembet kërcënimit të kryeministrit Zaev, i cili ka paralajmëruar mundësinë për ngritjen e procedurës për impiçment të kryetarit.
Në bazë të nenit 205 të rregullores së Kuvendit propozimin për ngritje të procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë të presidentit të Republikës, mund ta inicojnë të paktën 30 deputet. Shumica parlamentare në Kuvend ka numrat e nevojshëm për ngritjen e procedurës për përgjegjësinë e presidentit, por i mungojnë dy të tretat e deputetëve për të votuar shkarkimin e tij.
Ivanov për herë të dytë bllokon ligjet që miraton Kuvendi. Herën e parë vuri veto për Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe të njejtën gjë e bënë edhe me marrëveshjen për emrin me Greqinë.
Përgatiti: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com