Deputetët nga partitë në pushtet dhe opozita ndryshe lexojnë raportin e progresit të Bashkimit Evropian për Maqedoninë. Në debatin e sotëm për raportin në Kuvend deputetët e shumicës parlamentare theksuan lëvdatat e Komisionit evropian për vendin, ndërsa opozita gjuante kritikat duke krijuar përshtypjen se të dy palët po diskutonin për dy raporte të ndryshme.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev, e pyeti shumicën se kush do të marrë përsipër përgjegjësinë nëse Maqedonia zgjidh kontestin e emrit, ndërsa BE nuk nis bisedimet për anëtarësim.
“Nuk jeni të sinqertë as ju e as shumica parlamentare që e përkrah këtë Qeveri, shtrohet pyetja nëse do të fitojmë vertët më 28 Qershor të drejtën për hapjen e negociatave” tha Danev.
Deputeti nga PRSD Goran Misovski ftoi opozitën të sillet me përgjegjësi konform momentit historik sepse Maqedoni nuk do të ketë një mundësi tjetër pasi politika destruktive e ish pushtetit e margjinalizoi vendin në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Në fund të fundit z. Danev, çka do të ndodh nëse do të ndodh. Shkojmë në zgjedhje. A jeni të gatshëm të shkojmë në zgjedhje?” sfidoi opozitën Misovski.
Opozita e pranoi ofertën e pushtetit për zgjedhje të parakohshme duke theksuar se VMRO-DPMNE asnjëherë nuk ka ikur nga zgjedhjet sikurse, siç thanë, vepronte LSDM-ja kur ishte në opozitë.
Kryeparlamentari Xhaferi disa herë gjatë seancës së sotme u tërhoqi vërejtjen deputetëve , duke ju kërkuar që të respektojnë Kodin etik, të cilin Kuvendi e miratoi një ditë më parë.
Përgatiti: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com