Trotuaret e Bit pazarit përfundimisht u kthehen qytetarëve të kryeqytetit. Qyteti i Shkupit, me ndihmën e policisë ka larguar tezgat e tregtarëve ilegal nga trotuari, të cilët me vite kanë penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve duke shkaktuar kaos në trafik.
Pasi ishin larguar nga trotuaret e qendrës tregtare 26 Korriku, tregtarët tezgat i kishin transferar në anën tjetër të rrugës, para Ambulancës së Bit Pazarit, mirëpo edhe prej atje janë larguar. Ata ankohen se autoritetet i kanë përzënë pa u ofruar një zgjidhje duke i lënë pa burimin e vetëm të ekzistencës.
Askund hiq, jemi pa punë, vet i gjashti jam pa punë.Nuk na kanë premtuar asgjë, edhe nëse na premtojnë ska asgjë, thotë një shitës.
Kanë tentu se 31 vite jam në Entin për Punsim, më kanë gjetë punë katër mijë denarë, rruga e jotja, haja e jotja, çfarë rroge është ajo as në Afrik nuk është, e jo këtu në Maqedoni, e në Unionin Evropian don të hyjë. Zjedhjet do të vijnë katër vite kalojnë si katër muj, populli nuk harron në fund dënon, deklaron një shitës.
Autoritetet e qytetit deklarojnë se tregtarëve u është ofruar një zgjidhje kalimtare, të cilën nuk e kanë pranuar.
Oferta, dy muaj falas mbrenda në pazar në tezgat të cilat janë të lira, është ofertë të cilën e kemi komunikuar me të gjithë shitësit ilegal në këtë pjesë të qytetit duke i kyçur këtu edhe shitësit para 26 Korrikut. Synimi është që një herë e përgjithmonë ti japim fund kaosit në këtë pjesë të qytetit, thotë Valon Salihu nga Qyteti i Shkupit.
Largimin e tregtarëve ilegal nga rrugët e kanë mirëpritur dhe qytetarët. Kalimtarët e rastit, të anketuar nga Almakos, janë të kënaqur që rrugët janë liruar dhe thonë se kjo është dashur të bëhet më herët.
Në rregull është të jetë pastër këtu, të mundemi të lëvizim. Të mundemi më lehtë të shkojmë dhe të bëjmë Pazar. Mendoj edhe ata ishin në të drejtë një cop buk e nxirrnin nuk mund ti gjykojmë megjithatë mbasi kështu ka vendosur Qyteti, le të jetë kështu, thotë një qytetarë.
Mir është. Sipas meje kështu duhet të jetë me të drejtë, dhe e rrugës është se çdokush duhet ta paguaj tezgën e tij, nuk mundet ashtu, thotë një qytetare tjetër./Almakos
Arbnora Memeti