Maqedonia nuk guxon të lejojë përsëritjen e Samitit të Bukureshtit të 2008-tës, kur çështja e emrit bllokoi integrimin në NATO. Profesorja, Besa Kadriu thekson se është e domosdoshme të gjendet zgjidhje për problemin shumëvjeçar me Greqinë, pasi në të kundërtën vendi do të merr kahje tjetër dhe do ta ketë shumë të vështirë të rikthehet në rrugën evropiane.
Ky do të ishte një skenar shumë i keq, që nuk do të kisha dashur ta kem parasysh. Në vend dëshira për t’u integruar në Unionin Evropian gjithnjë ka qenë prezente, vendi gjithmonë ka pasur një opinion publik i cili është shumë pro integrimeve evropiane dhe në të kaluarën nga raste të ngjashme për shembull nga Samiti i Bukureshtit në vitin 2008 kur nuk arritën që të bëhemi pjesë e NATO-s ose në raste të tjera është parë se sa efekt negativ ka kjo mbi demokracinë e vendit – tha Besa Arifi, Profesore.
Janis Armakolas nga Fondacioni Grek për Politikë Evropiane “Eliamep” thotë se Greqia nuk duhet të lejojë që vendi të humb perspektivën e integrimit evropian. Ai është optimist se do të ketë zgjidhje pavarësisht se atë do të refuzojnë opozitat e dy vendeve.
Është e rëndësishme për Greqinë të sigurojë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të kenë perspektivë për t’iu bashkuar BE-së. Duhet ta zgjidhim çështjen e emrit sa më parë që është e mundur që kjo të ndodhë. Mendoj se të dy qeveritë janë të vendosura të ecin përpara për ta zgjidhur çështjen e emrit dhe mendoj se duhet t’i sqarohet opinionit të gjerë se marrëveshja që do ta arrijnë do të jetë e mirë për të dy palët. Me një debat të hapur dhe të sinqertë shumë njerëz do të binden – deklaroi Janis Armakolas, Fondacioni Grek për Politikë Evropiane “Eliamep” .
Zgjidhja e emrit është parakusht për integrimin e vendit në NATO dhe një nga kushtet për fillimin e negociatave me BE-në. Maqedonia pret zhbllokim të integrimeve në Samitin e BE-së që do të mbahet në fund të muajit, dhe Samitin e NATO-s në korrik.
Anesa Salihu