Vetëm në 6-të mujorin e parë të këtij viti janë asfaltuar disa rrugë dhe rrugica në lagjen e Reshtanit ndërsa aktualisht është duke u punuar rrugën “Isen Akioski” ku do të rregullohet edhe infrastruktura nëntoksore.
Përveç investimit kapital në ndërtimin e stacionit filtrues, komuna e Kërçovës në 6-të mujorin e parë të mandatit të dytë të kryetarit Fatmir Dehari, ka realizuar edhe disa projekte të infrastrukturës rrugore në disa lagje të qytetit.
“Në lagjen “22 Dhjetori” janë asfaltuar gjithsej 3 mijë m2 rrugë dhe rrugica që përfshijnë punimet e fazës së parë të ndërtimit ndërkohë që është përgatitur edhe dokumentacioni i tenderimit për fazën e dytë të asfaltimit në këtë lagje”, thotë Burim Kadriu nga kabineti i kryetarit Dehari.
“Qarkullimi rrugor në këtë pjesë të qytetit”, shton ai, “është lehtësuar dukshëm edhe me ndërtimin e nënkalimit dhe trotuareve të rrugës që kalon përskaj lumit “Sushica” ku është intervenuar edhe në shtratin e tij”.
Para disa javësh, komuna e Kërçovës ka filluar punimet për rikonstruimin e rrugës “Isen Akioski” ku para se të shtrohet asfalti i ri, do të instalohet rrjeti i kanalizimit atmosferik dhe atij fekal. Investimet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore nuk mungojnë as në pjesët rurale të Kërçovës. Në realizim e sipër është asfaltimi i aksit rrugor Haranjell-Tuhin ku do të ndërtohet edhe kanalizimi atmosferik. /TVM2/