Gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe të drejtat e njeriut janë tre temat të cilat i përmban kapitulli 23 në të cilat është punuar në dy e gjysmë vitet e kaluara në kuadër të projektit të implementuar nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë dhe Institutit për politikë evropiane në bashkëpunim me 15 organizata dhe nëntë grantistë.
Në Shkup sot mbahet konferenca përmbyllëse e projektit Rrjeti 23+ e quajtur “Kapitulli 23: Kutia e Pandorës ose çelës për qeverisje të mirë?” në të cilën mes të tjerash mori pjesë kryeministri Zaev, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska dhe përfaqësues nga sfera e gjyqësorit dhe sektori joqeveritar.
“Negociatat për anëtarësim janë faza finale e procesit të integrimit të vendeve kandidate të BE-së”, porositi kryeministri Zaev para të pranishmëve pjesëmarrës në konferencën përmbyllëse. Përkujtoi se pas valës së gjashtë të zgjerimit KE-ja ka vendosur në negociatat me vendet kandidate që kapitujt 23 dhe 24 të hapen të parët.
“Ne si shtet i cili filloi me këto reforma dhe si shtet i cili mori rekomandim të pastër dhe pret datë, e kemi plotësisht të qartë se as KE-ja, por as vendet anëtare nuk do të pranojnë reforma gjysmake të realizuara. As neve nuk na nevojiten reforma gjysmake. Flasim për reforma rrënjësore. Të gjithë në fund duhet ta hapim kutinë e gjyqësorit dhe pa dallim se është kutia e Pandorës me guxim dhe në mënyrë të hapur të vazhdojmë me reformat, vetëm kështu mund të ndërtojmë shtet evropian”, theksoi kryeministri.
Ai shtoi se viti 2018 do të jetë vit i reformave të rëndësishme gjyqësore pasi që vendi është kandidat për anëtarësim në BE. Këtu i përmendi reformat në Këshillin Gjyqësor, në mënyrën e zgjedhjes dhe shkarkimit të gjykatësve, punës së Akademisë për gjykatës dhe prokurorë dhe theksoi se ky është vetëm fillimi.
“Qasja deri te drejtësia për të gjithë duhet të jetë garantuar plotësisht”, theksoi Zaev dhe shtoi se për shkak të kësaj janë ngritur dhe ndryshimet e Ligjit për ndihmë juridike falas.
Potencon se Republika e Maqedonisë duhet të jetë vend me tolerancë zero për korrupsionin, ndërsa pakot ligjore nga kjo sferë duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe efikase dhe në këtë drejtim nevojitet të sigurohen edhe ingerenca më të mëdha të Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit.
Zëvendëskryeministri Osmani theksoi se inkuadrimi në BE është proces afatgjatë, por jo i pafund dhe proces i cili është i lidhur me një Qeveri ose një parti politike. Ai theksoi se vendi përmes Planit 3-6-9 i ka zbatuar reformat e përmbajtura në të, ndërsa tani udhëhiqet nga Plani 18 i cili dje është prezantuar para Delegacionit të KE-së.
Plani 18, i cili siç tha Osmani, është në draft version, nesër atë do ta prezantojë në Bruksel, ndërsa nga e premtja me të të njoftohet edhe opozita. Ministrja Deskoska sërish potencoi se Kapitulli 23 nuk guxon të shihet si në Kutinë e Pandorës, por si në hapjen e rrugës për qeverisje të mirë që nuk do të jetë e lehtë dhe në të cilën do të ketë shumë pengesa, por hapja e të cilës nevojitet për shkak të vendosjes së qeverisjes së mirë të së drejtës dhe sigurisë juridike të qytetarëve.
Drejtoresha e Institutit për Politikë Evropiane Simonida Kacarska theksoi se me përfundimin e projektit puna e këtij kapitulli së pari ka filluar dhe shtoi se qeverisja e së drejtës është temë e cila hapet edhe në vetë BE-në, ku madje mendohet ajo të kushtëzohet me financim të ndihmës evropiane.
Para të pranishmëve mbajti fjalim edhe profesori Gordan Kalajxhiev i cili është kryetar i Komitetit të Helsinkut dhe i cili theksoi se nëse situata në këtë fushë pranohet ashtu sikur politikanët e tregojnë atëherë “më mirë do të ishte të gjithë të shkojmë në shtëpi”.
Ai ka marrë përshtypje se zbatimi i këtyre reformave sikur të donte të bëhet përmes natës dhe shtoi se qëllimet janë të mira, por problem gjithmonë kanë qenë afatet. Potencoi se jo vetëm në Maqedoni ekziston sëmundje në sektorin e jurisprudencës që vazhdimisht ka qenë i brejtur në dhjetë vitet e fundit, por në vend ekziston edhe hendek mes sektoreve të punëve të brendshme dhe jurisprudencës.
“Ekziston ndarje strikte mes këtyre dy sistemeve te ne dhe ky është problemi më i madh”, tha Kalajxhiev. Shfaqi shpresë se në tërë këtë proces të reformimit të sistemit të jurisprudencës do të ketë përfshirje më të madhe të fushës shkencore. /koha.mk/