Observatori Sizmologjik i cili merret me studimin shkencor të tërmeteve ballafaqohet me mungesë të kuadrit dhe mjeteve financiare. Aktualisht punojnë vetëm gjashtë persona, tre prej të cilëve sizmolog ndërsa 3 të tjerët për mirëmbajtje. Sizmologët kërkojnë zgjerimin e ekipit dhe buxhet të pavarur.
Ja një krahasim, në vitin 1990 kur unë u punësova në observator në atë kohë kishte 18 të punësuar prej të cilëve 10 ishin sizmolog, pra dallimi është evident dhe problemet me të cilat ballafaqohet observatori janë të mëdha. Nuk kemi mjete sepse ka ndryshuar mënyra e financimit. Ky observator duhet të financohet nga shteti dhe të sigurohen mjetet për funksionimin e saj -deklaroi Dragana Cernih, sizmologe.
Për funksionimin normal të Observatorit nevojiten edhe pesë sizmologë. Cernih thotë se gjatë tërmeteve të fundit në Ohër, qendra kishte shumë vështirësi. Një ndër problemet është edhe mos interesimi i të rinjve për të studiuar këtë drejtim.
Kemi drejtimin Gjeofizikë në fakultetin matematiko-natyror në Institutin për fizikë por ja për fat të keq nuk kemi studentë të regjistruar në këtë drejtim. Do të apeloj deri tek të rinjtë të cilët janë të interesuar për gjeofizikën dhe hulumtimin e tokës të përfundojnë studimet në këtë drejtim sepse me siguri të plotë do të punësohen menjëherë në Observatorin e Sizmologjisë – shtoi ajo.
Në observator pos sizmologëve mungojnë edhe inxhinierët për instalimin e stacioneve nëpër tërë territorin e vendit. Aktualisht në vend funksionojnë vetëm 4 stacione, për dallim nga Serbia ku funksionojnë 12 apo Sllovenia që funksionojnë 50 stacione të tilla.