Edhe pesë muaj shtesë për rindërtimin e Teatrit shqiptar. Ndonëse sot duhej të përfundonin punimet, premtimi nuk është mbajtur. Sipas afatit të ri, madje në vjeshtë ose në fund të tetorit duhet të përfundojë rindërtimi i objekti i premtuar me vite të tëra. Ndërmarrja që mbikëqyr dinamikën e punëve ndërtimore siguron se mjaftojnë pesë muaj që ndërmarrja „Shencia“ të përfundojë punën. Prolongimi është zgjidhur me një aneks të kontratës themelore të nënshkruar me ndërmarrjen nga Italia.
Çështja kryesore pse e prolonguam afatin është se derisa po kryheshin punimet në gjashtë muajt e fundit, është konstatuar se në teknologjinë skenike, ajo që është punuar si projekt, në kohën e përpunimit është me një nivel të caktuar të përpunimit, por për shkak të inovacioneve teknologjike që janë në këtë fushë dhe janë të rëndësishme për teatrin si aktivitet i saj bazë, është kërkuar modernizim shtesë i teknikës – tha Veselinka Gerasimova, Petrovska, mbikëqyrëse e rindërtimit të Teatrit Shqiptar.
Ne kontrolluam se si ecin punimet e ndërtimit brenda teatrit. Sipas mbikëqyrjes, punohet me intensitet në skenën kryesore rrotulluese dhe në instalimin e karrigeve. Gjendja aktuale nuk jep përshtypjen se objekti do të jetë gati sipas afatit të paraparë, por mbikëqyrësja pretendon se në dy muajt e ardhshëm do të bëhet e qartë nëse gjërat janë para përfundimit.
Alsat M që në muajin janar ka informuar për aneksin e fundit që Teatri Shqiptar kishte arritur me kompaninë italiane Shencia. Aneksi i marrëveshjes bazë ishte thuajse një milion euro me arsyetimin se është firmosur për shkak të gjërave të paparashikuara. Kompania Shencia riparimin e institucionit e morri nga kompania Lamone Moreda, e cila e fitoi tenderin në vitin 2014 gjatë pushtetit të VMRO-DPMNE-së. Marrëveshja kishte vlerën prej tetë milion euro. Por, më pas Lamone Moreda bankrotoi. Dokumentin e bënë publik autoritetet italiane. Obligimin për rindërtimin e mori kompania Shencia. Hulumtimi i Alsat M para katër muajsh ka treguar se Shencia dhe Lamone Moreda janë të lidhura. Shencia në fakt e bleu filialin e Lamone Moreda në Maqedoni. Megjithatë, nga dokumentet që Alsat M i siguroi përmes Regjistrit Qendror të Italisë, nuk mund të dihet pronari i vërtetë i Shencias e cila është në pronësi të Elektra Italia, e cila ka punuar në projekte të Shkupit 2014. Por, rrjeti i kompanive nuk përfundon këtu. Elektra Italia është në pronësi të kompanisë Trust Blu për të cilën nuk mund të vërtetohet pronari pasi është i fshirë numri i saj tatimor. Shencia nga Forli Italia ka dy kompani në Maqedoni. Në adresën në lagjen Debar Maallo, përveç Shencias, ekziston edhe një kompani, Ital Mak Konstruksion, ku pjesë të pronësisë ka edhe Shencia. Ndërsa Ital Mak Konstruksion ka punuar në disa projekte në Shkupi 2014, si për shembull ura Syri dhe shatërvanët në Vardar.
Mjete për përfundimin e Teatrit Shqiptar siguroi Qeveria e re në krye me LSDM-në. Ministria e kulturës bëri ndryshimin e programit për riparimin e objekteve që i shfrytëzojnë institucionet nacionale nga fusha e kulturës. Programi u miratua dhe u firmos nga zv/kryetarja e Qeverisë, Radmila Sheqerinska. Përveç kësaj, janë ndarë mjete shtesë për shlyerjen e borxheve të grumbulluara të teatrit në vlerë prej mbi 300 mijë euro.
Bojan Stojanovski