Zëvendëskryeministri, përgjegjës për çështje evropiane, Bujar Osmani, para përfaqësuesve të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, të kryesuar nga ambasadori, Samuel Zhbogar, e prezantoi planin e ri reformues, të emërtuar “Plani 18”.
Ky plan është ende në fazën e harmonizimit dhe pritet të kalojë në qeveri javën e ardhshme, ka bërë të ditur Osmani.
“Qeveria është fuqimisht e përcaktuar që të mbajë agjendën e reformave në ballë të listës së prioriteteve edhe pas përfundimit të implementimit të Planit 3-6-9, për çka Sekretariati për Çështje Evropiane mori përsipër hartimin e planit të ri të reformave për vitin 2018, realizimi të cilit duhet të përfundojë me daljen e Raportit të ri të Komisionit Evropian në fillim të vitit të ardhshëm”,- theksoi Osmani në prezantim.
Pasi të kalojë në qeveri Planin 18, do të kenë mundësi të deklarohen edhe ekspertët si dhe sektori civil, nga të cilët pritet plotësimi dhe finalizimi i tij.
“Plani 3-6-9 krijoi një bazë solide për implementimin e reformave thelbësore dhe afatgjata që synojnë afrimin e shoqërisë sonë me atë evropiane, ndaj Plani 18 është vazhdimësi logjike e agjendës reformatore të Qeverisë për koordinimin dhe ndjekjen sistematike të zbatimit të këtyre reformave”,– tha Osmani, duke shtuar se plani përfshin të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e raportit të Komisionit Evropian.
Ai ka parasysh edhe udhëzimet e gjashtë nismave kryesore të Strategjisë së Komisionit Evropian. Zëvendëskryeministri Osmani, njëherit kërkoi nga ambasadori Zhbogar dhe përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, që edhe ata të kontribuojnë me vërejtjet, sugjerimet dhe komentet e tyre gjatë finalizimit të përmbajtjes së planit. Pas kësaj, Osmani pritet të qëndrojë në Bruksel për të prezantuar këtë plan edhe para administratës së Bashkimit Evropian.
FARIJE DAUTI BAKIJU