As takimi me ministrin e jashtëm Dimitrov nuk e bindi presidentin Ivanov lidhur me zgjidhjen e kontestit për emrin me “erga omnes”. Kur pritet vetëm një telefonatë mes Zaevit e Ciprasit, për të finalizuar bisedimet për emrin, Ivanov thotë se procesi më tepër i ngjanë një marrëveshje mes dy kryeministrave se sa dy shteteve.
I gjithë procesi i ngjan një marrëveshjeje personale midis kryeministrit Zaev dhe kryeministrit Cipras, për çka nuk është siguruar konsensus kombëtar në Republikën e Maqedonisë. Qëndrimi im është se nuk pranoj një zgjidhje për çështjen e emrit për përdorim të përgjithshëm, apo erga-omnes. Lidhja e një marrëveshjeje ndërkombëtare duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe jo të parashikojë ndryshimin e saj – deklaroi Gjorge Ivanov, President.
Kryeministri grek Cipras duke iu kundërpërgjigjur presidentit Ivanov, ka thënë se problemi mund të përfundojë vetëm me një zgjidhje erga omnes.
Qëndrimi i Greqisë është i qartë. Për zgjidhjen e problemit dhe pranim të Maqedonisë në NATO dhe BE është i nevojshëm emër i përbërë me përcaktues gjeografik ose kohor, për përdorim të përgjithshëm, si dhe ndryshim të Kushtetutës – thanë Kabineti i Kryeministrit të Greqisë, Aleksis Cipras.
Megjithatë as në Greqi akoma nuk ekziston konsensus për çështjen e emrit. Partneri i koalicionit qeveritar, Grekët e Pavarur përsërit qëndrimin se nuk pranon asnjë zgjidhje me termin “Maqedoni”, duke mohuar edhe ekzistencën e identitetit maqedonas. Ndërsa partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re kundërshton mundësinë që vendi të anëtarësohet në NATO e BE pa ndryshuar Kushtetutën.
Ne, Grekët e Pavarur, themi “JO” për përdorimin e emrit Maqedoni ose fjalë të nxjerra, ndërsa parakusht për secilën zgjidhje është ndryshimi kushtetues, ndryshim të Kushtetutës, sepse nuk ekziston as përkatësi kombëtare maqedonase, as identitet maqedonas, e as që ekziston gjuha maqedonase. Dhe gjithsesi zgjidhja duhet të jetë erga omnes – u shpreh Madalena Papadopulu, Zëdhënëse e “Grekët e Pavarur”.
Ndërkohë është riaktualizuar edhe aspekti kishtar. Ashtu që mbetet e paqartë se çfarë në të vërtetë ka kërkuar kryeministri, Zoran Zaev nga Patriarku i Përgjithshëm i Konstantinopojës. Derisa Zaev dhe Kisha Ortodokse Maqedonase pretendojnë se kanë kërkuar zgjidhje për problemin shumëvjeçar kishtar, nga kabineti i Ciprasit dhe Patriarku i Përgjithshëm i Konstantinopojës konfirmojnë se Zaev ka kërkuar që të hiqet fjala “Maqedonase” nga emri i Kishës Ortodokse Maqedonase duke u riemëruar në “Kisha Ortodokse”. Përndryshe, kundër termit “Maqedoni” në dhjetëra qytete në Greqi janë paralajmëruar protesta për më 6 qershor.
Anesa Salihu