Ky udhëkryq kohëve të fundit është bërë i rrezikshëm, andaj rekomandohet të respektohen rregullat e komunikacionit dhe më shumë kujdes. Policia ende nuk kanë dalë me qëndrim se a do të lejojnë ndërtimin e një rethrrotullimi, ashtu siç po kërkojnë banorët dhe Komuna e Tetovës
Bulevardi kryesor në Tetovë që njihet me emrin “Ilinden”, në pjesën në dalje nga Tetova për Gostivar, vite me radhë është arenë e vërtetë e aksidenteve. Jo rrallë herë e kanë pësuar edhe këmbësorë sidomos nxënës dhe të tjerë, shkruan gazeta KOHA. Pikërisht kjo pjesë e qytetit të Tetovës është një nga më të frekuentuarat pasi aty ndodhen dy shkolla të mesme dhe dy universitete. Një fluks i këtillë i lartë i frekuentimit të kësaj rruge që është arteria kryesore për t’u lidhur me autostradën Tetovë-Gostivar ka bërë që edhe qytetarët të reagojnë dhe të kërkojnë zgjidhje, sepse çdo ditë ndodhin aksidente. Së fundmi, të shtunën një aksident trafiku u regjistrua pikërisht në udhëkryqin për në Bërvenicë ku edhe kishte tre të lënduar.
Megjithatë, sipas informacioneve, shpejtësia ka qenë shkaku kryesor për këtë aksident. Sipas drejtorisë përgjegjëse në Komunën e Tetovës, në momentin e aksidentit semaforët kanë punuar, por janë evidentuar shpeshherë defekte në periudhën paraprake. Poashtu, disa banorë kanë kërkuar që në këtë vend të largohen semaforët dhe të vendoset rrethrrotullim.
“Komuna e Tetovës në bashkëpunim me policinë kanë shprehur shqetësimin për aksidentet që ndodhin pikërisht në këtë udhëkryq, ku në afat të shkurtër kohor do të shqyrtohet kjo problematikë me hartimin e një plani te ri urbanistik dhe ku parashihet një rrethrrotullim i ri. Besojmë që potenciali i aksidenteve do të jetë shumë më i vogël. Do të mundësohet qarkullim më i lirë i automjeteve, por gjithmonë duke i respektuar rregullat e komunikacionit”, deklaruan nga sektori për komunikacion në Komunën e Tetovës.
Në ndërkohë, nga policia ende nuk kanë dalë me qëndrim se a do të lejojnë ndërtimin e një rethrrotullimi. “Udhëkryqi në afërsi të shkollës së mesme të mjekësisë në Tetovë ose ndryshe e quajtur ‘Kthesa e Bërvenicës’, për një kohë të gjatë, njëjtë edhe këtë vit, paraqet një nga disa prioritetet e qytetit, të cilat çdo ditë mbulohen me patrullime, të policëve nga Stacioni policor për siguri në komunikacion dhe rrugë. Jo vetëm kjo por në këtë udhëkryq, rregullisht kontrollohet gjendja teknike dhe funksionimi praktik i sinjalizimit, me qëllim që të mundësohet qarkullim i papengueshëm i veturave dhe këmbësorëve, që të mënjanohen ngatërresat në trafik”, thotë zëdhënësi i SPB-së në Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Ai më tej ka thënë se poashtu problem janë edhe taksistët që janë afër këtyre objekteve dhe vështirësohet qarkullimi. Së fundi, krahas aksidentit të shtunës, një aksident tjetër është regjistruar të dielën mbrëma. “Në kryqëzimin e bulevardit “Ilinden” me rrugën “166”, në Tetovë rreth orës 23.30 minuta, ka ndodhur një aksident komunikacioni në të cilin janë përfshirë një veturë e tipit “BMË” me targa të Tetovës e drejtuar nga 43-vjeçarja me iniciale XH.S nga Sedllarca, si dhe një moped i tipit “Longija” gjithashtu me targa të Tetovës të cilin pa leje për vozitje e ka drejtuar një 15-vjeçarë nga Tetova.
Pas aksidentit, motoçiklisti dhe bashkudhëtari i tij – gjithashtu 15-vjeçar, janë dërguar në Spitalin klinik të Tetovës për marrje të ndihmës. Është kryer hetim dhe po vërtetohet shkaku i këtij aksidenti rrethanat në të cilat ka ndodhur dhe të gjitha detajet tjera që ndërlidhen me aksidentin në fjalë”, informoi policia e Tetovës. Ky udhëkryq kohëve të fundit është bërë i rrezikshëm andaj rekomandohet që të respektohen rregullat e komunikacionit. (koha.mk)