Grupit punues rajonal për mjedis jetësor mbajti takimin e shtatë të rregullt, i cili synon avancimin e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe ndryshimeve klimatike…
Në takim morën pjesë përfaqësues të gjashtë shteteve të Evropës Juglindore: Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Mali të Zi, Serbisë dhe Kosovës.
Ministri i ambientit, Sadulla Duraku, tha se takimet e këtilla kontribuojnë në masë të madhe për shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të lehtësuar zbatimin e Strategjisë 2020 të Evropës Juglindore.
“Për të gjithë ne tani është shumë e rëndësishme që tashmë janë krijuar fonde të cilat vijnë përmes agjencive austriake, për zhvillim për të dy projektet “Klimë Prof” dhe “Neksus”, për të cilat presim në këtë takim të prezantohen zhvillimet më të fundit për progresin e dy projekteve dhe hapave të ardhshëm. Jam i bindur se të gjitha nismat që do të kemi mundësinë t’i ndjekim brenda këtij grupi punues, do të japim një kontribut të rëndësishëm në krijimin e politikave dhe aktiviteteve tona të ardhshme dhe besoj fuqishëm se rezultatet nuk do të mungojnë”,- deklaroi ministri i ambientit, Sadulla Duraku.
Rëndësinë e bashkëpunimit rajonal e theksuan edhe pjesëmarrësit nga Kosova, Shqipëria dhe vendet tjera.
“Pa bashkëpunim regjional nuk mund të kemi edhe rregullim të mjedisit në këto hapësira të cilat na takojnë edhe jemi fqinjë dhe patjetër që duhet të bashkëpunojmë dhe të kemi një mjedis më të mirë dhe më të pastër. Ne kemi shumë bashkëpunim të mirë me Maqedoninë, Shqipërinë po ashtu edhe me Malin e Zi, por natyrisht kemi ende probleme sa i përket me Serbinë”,- u shpreh drejtori i Departamentit për mjedis dhe ujra – Kosovë, Muhamet Malsiu.
“Është e domosdoshme që i gjithë rajoni të bashkëpunojë për të adresuar problemet që lidhen me mjedisin, të paktën për t’i reduktuar këto probleme në mënyrë që të mund të zbuten efektet e ndryshimet e klimës. RTC-ja ka përfunduar një studim për ndryshimet e klimës deri në fund të shekullit të 21 dhe rezultatet janë të frikshme në qoftë se të gjithë vendet tona nuk do të marrin masa për adresimin e këtyre problemeve”,- theksoi zëvendëssekretari gjeneral i këshillit rajonal për bashkëpunim, Gazmend Turdiu.
Nëse nuk ndërmerren masat e nevojshme, rritja mesatare e temperaturës do të jetë me 3 gradë në mes të shekullit dhe me 5-6 gradë gjatë verës deri në fund të shekullit, theksuan pjesëmarrësit në takim.