Tabela që është vendosur para Stacionit Hekurudhor në Manastir, vetëm deri disa javë më parë informonte se rikonstruimi i linjës hekurudhore drejt Greqisë është përfunduar. Por, nëse bëni disa hapa dhe dilni në hekurudhë, do të shikoni diçka tjetër. Linja hekurudhore përfundon këtu, por Manastiri nuk është lidhur me Greqinë.
“Kjo është pika e fundit të hekurudhës ndërkombëtare Veles-Manastir-Lerin-Selanik. 32 vjet është jashtë përdorimit, kurse në qoftë se deri në muajin nëntor, ky aks 17-kilometrash nuk përfundon, atëherë Maqedonia do të humbë 6 miliona euro nga IPA fondet”.
Sot, para Stacionit Hekurudhor në Manastir, qëndron tabela e njëjtë, por është ndryshuar vetëm data e fillimit dhe përfundimit të projektit. Gjatë vizitës së djeshme në Manastir, ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugareski, deklaroi se kontraktori i ka startuar aktivitetet dhe të njëjtat do t’i përfundojë në afatin e ri që u përcaktua.
“Bëhet fjalë për para të cilat Republika e Maqedonisë duhet t’i shfrytëzojë, 6 miliona euro. Sipas dinamikën e dakorduar, nga kjo që e shoh në terren, nga ajo që është biseduar dhe nga informatat që i kam marrë, pres që kontraktori ta kryejë punën e tij. Ato 6 miliona euro, Maqedonia i ka marrë për t’i shfrytëzuar, e jo që t’i kthejë dhe t’i japë nga buxheti i shtetit. Praktikisht, jam i bindur se kontraktori ka qenë në nivel të detyrës”, tha Sugarevski
Edhe ndërtimi i linjës hekurudhore Manastir-Kremnicë u ballafaqua me një sërë problemesh. Vjet u ndërpre marrëveshja me konsorciumin bullgar, sepse nuk e ka respektuar marrëveshjen dhe nuk i ka kryer punët deri në korrik të vitit 2016. Pas ngecjes njëvjeçare, në tenderin e ri u zgjodh kompania austriake “Shtrabak”, prej ku premtojnë se ndërtimi i hekurudhës do të përfundojë në afatin e paraparë.
“Ne këtu praktikisht akoma jemi në fillim, nuk kemi pasur shumë fat me kushtet e motit në fillim të vitit, por besojmë se do ta kryejmë punën tonë në afatin e caktuar. Mund të prisni se deri në fund të nëntorit, këtu gjithçka do të kompletohet”, tha Zllatan Gjurgjiq, drejtor i “Shtrabag” për Maqedoni.
Është planifikuar që hekurudha të ketë hyrje në zonën industriale “Zhabeni”, që nënkupton edhe lidhjen me portin e Selanikut. Kjo do të kontribuojë për përmirësimin e kushteve për investim, sepse transporti hekurudhor është më i lirë se transportet e tjera të mallrave që prodhohen në zonën industriale “Zhabeni”. Ndryshe, linja hekurudhore Manastir-Lerin-Selanik, u ndërtua në vitin 1894. Përmes saj kanë udhëtuar shumë ushtarë, konsuj dhe figura historike. /tv21/