Provizionet për ndërtimin e autostradave nga firmat kineze, apo i njohur në opinion si rasti “Traektorja”, sot në bankën e të akuzuarit sërish kanë ulur ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, ish-ministrat, Mile Janakievskin dhe Vladimir Peshevskin.
Gjatë gjykimit të sotëm si dëshmi u shpalosën bisedat e përgjuara për të cilat mbrojtja dhe të akuzuarit kundërshtuan dëgjimin e një pjese të tyre në seancë publike me arsyetimin e Peshevskit se me mospublikimin e “bombave” do të ruhet interesi shtetëror. Por, lidhur me këtë kërkesë ka reaguar prokurorja, Lile Stefanova, sipas së cilës këto biseda janë shumë të rëndësishme dhe thelbësore për rastin dhe se nuk është e arsyeshme të fshihen pasi nuk bëhet fjalë për biseda personale.
Në njërën nga bisedat mes Gruevskit dhe Janakievsit, ky i fundit njofton se kinezët kanë propozuar ofertë për autostradën Milladinovcë – Shtip dhe se memorandumi duhet të kalojë në Qeveri pastaj ai të udhëtojë në Kinë.
Ndërkaq, Gruevski thekson se kjo është shumë e rëndësishme duke ia kthyer se Janakievski sa më shpejt duhet të udhëtojë atje. Ndërkaq në njërën nga bisedat tjera dëgjohet Janakievski në bisedë me ish-ambasadorin kinez, Oliver Shambevskin, ku e njofton se memorandumi do të kalojë në Qeveri duke e informuar se këtu puna është e rregulluar dhe se tani duhet të udhëtojë në Kinë pas çka merr reagime pozitive dhe të kënaqshme nga ambasadori.
Gruevski, Janakievski dhe Peshevski akuzohen se gjatë vitit 2012 -2013, gjatë procedurës për zgjedhje të kompanisë për ndërtimin e autostradës Milladinovcë – Shtip dhe Kërçovë – Ohër, i kanë shfrytëzuar dhe tejkaluar autorizimet e tyre. Sipas PPS-së, me këtë veprim të akuzuarit kanë dëmtuar buxhetin shtetëror për më së paku 155 milionë euro.
FLORIJE BELULI KAMBERI