Muxhahid ISMAILI, Shkup
Beteja e re në Turqinë e para-zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 24 qershorit është kjo: a do të vazhdojë Turqia të jetë e “tëhuajësuar” apo, pas një fitoreje eventuale të bllokut islamisto-nacionalist në zgjedhjet e qershorit, me vullnet të plotë dhe me dëshirën e saj, do të kalojë në dekadat e vetëdijesimit të saj?
Bota (post)moderne po përjeton ndryshime rrënjësore.Ky fakt është një nga dëshmitë e pamohueshme se shumë shtete moderne, me ose pa vetëdijen e tyre, po bëhen aktorë të botës imperialiste-teknologjike. Sot shtetet e quajtura “të forta”ose, thënë ndryshe, fuqitë botërore nënvetëdijen e rezistencës nga ndryshimet sociologjike, kulturore, politike dhe baraspeshave ekonomike,po e humbin peshën e tyre dhe kështu postmodernizmi teknologjik-ushtarak po kalon nga sistemi i mëparshëm bipolar në fuqi multipolare. Në mesin e këtyre ndryshimeve rrënjësore, që po përjetojnë shtetet e fuqishme – me vetëdije të plotë dhe me një rezistencë të fuqishme në mesin e ndryshimeve globale,pa dyshim bën pjesë edhe Turqia. Derisa shumë shtete janë nën katrahurën e po këtyre ndryshimeve, pavetëdijen dhe, ndoshta, edhe pa dëshirën e tyre, Turqia domosdoshmërish, me vetëpëlqimin dhe vetëdijesimin e saj, po bëhet pjesë e “lojërave të mëdha” globale, ku gjithë kjo parapërgatitje psikologjike për popullin turk dhe etnitë e tjera, që jetojnë në këtë shtet, daton që më herët.Pra, parapërgatitjet socio-psikologjike për një “Turqi të re”, për popullin turk dhe popujt tjerë, nuk janë diçka e re,për shkak se Turqia me dëshirën e saj po synon të ecë përpara, duke mos i anashkaluar të gjitha peripecitë e dekadës së fundit, që vazhdimisht i ka përjetuar e po i përjeton, si:terrori, embargot ekonomike, grusht-shtetet e dekadës së fundit, marrëdhëniet miqësore-armiqësore me shtetet perëndimore, e shumë elemente dhe fakte tjera, që nuk shihen dhe dëgjohen ose, thënë ndryshe, që nuk janë të njohura për opinionin. Dëshira e Turqisë që të jetë moderne në postulatin e post-modernes, duke qenë këmbëngulëse dhe insistuese që të fuqizohet edhe më tepër në mesin e shumë fuqive të ndryshme botërore, shprehet kështu: Sot domosdoshmërish,me vetëdije të plotë, Turqia e udhëhequr nga islamistët-modernistë gjendet para dekadencës së ndryshimeve thelbësore – ndërmjet tëhuajësimit ose vetëdijesimit të saj politik, ekonomik, social dhe kulturor.
Fillimet e shekullit XX, për botën në përgjithësi dhe veçanërisht për Turqinë, ishin vitet e ndryshimit(eve) rrënjësore shoqërore,ku popujt që jetonin në “Turqinë moderne” të asaj kohe të Kemal Ataturkut, pa vetëdije, pa pëlqimin e një pjese të madhe të shoqërisë – me ose pa dëshirën e vet Turqisë së atëhershme, ose me pëlqimin e të “huajve”, i tëhuajësuan themelet e shoqërisë në përgjithësi, ndërsa tkurrjen dhe traumën socio-psikologjike veçanërisht e përjetuan shtresa islame në vend. Detyrimisht të gjitha këto përjetime emocionale, që i përjetoi “Turqia e re” me në krye Kemal Ataturkun, nënvetëdijen e po të njëjtit “tjetërsim ose tëhuajësim të pakontrolluar”, vazhdoi deri në fillim të ‘90-tave të shekullit XX, normalisht duke mos harruar se brenda kësaj periudhe të gjatë kohore populli turk vetëm se kishte filluar të mendojë më shumë “turqisht” sesa frëngjisht, anglisht ose në ndonjë gjuhë tjetër perëndimore. Shkrimtari i mirënjohur turk Ismet Ozel konceptin e “tëhuajësimit” të popullit turk e sheh si diçka të padëshiruar – si një mekanizëm të pakontrolluar për gjeneratat e ardhshme. Ky polarizim i shoqërisë turke, duke menduar se më i moderuar dhe më i civilizuar do të dukesh nëse je bilingual ose nëse di shumë gjuhë tjera, përpos gjuhës tënde amtare, vazhdon të jetë ende handikap i një “tëhuajësimi” të brendshëm, që ka sot një pjesë e shoqërisë turke – një stereotip i tipit se “tëhuajësimi” na bën më të mençur dhe më të ndritur para miqve tanë perëndimorë.
Çuditërisht me disa ecejake herë andej e herë këndej – ndonjëherë të paraqitur si islamistë, ndonjëherë si tepër nacionalistë, diku edhe si kemalistë, Turqia pas gjithë këtyre katrahurave politike, ndryshimeve rrënjësore në mesin e dekadave të shekullit XX, përjetimeve të shumë puçeve shtetërore (grusht shteteve të njëpasnjëshme), dëshiron që nga nesër të fillojë të mendojë për veten e saj – për shtetin, për atdheun, për popujt që jetojnë brenda saj, për përgatitjet reformuese qytetare dhe shoqërore, kulturore, shkencore etj. Kjo nuk d.m.th se kjo Turqi e pushtetarëve aktualë nuk ka ditur të mendojë dhe veprojë e pavarur, por fatkeqësisht rrënjët e një “tëhuajësimi” turk kanë lënë pasoja socio-psikologjike të pariparueshme shumëvjeçare për popujt brenda saj dhe gjithë kjo thuajse ka ndodhur nën një vetëdije të pakontrolluar për popullin turk.
Kjo është gjendja emergjente e ndryshimeve rrënjësore që ditëve të fundit po shpjegohet dhe perceptohet nga islamistët e moderuar të pushtetit aktual – Turqia është ndërmjet tëhuajësimit të saj ose vetëdijesimit të plotë për të menduar “turqisht”.Thënë ndryshe, beteja e re në Turqinë e para-zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 24 qershorit është kjo: a do të vazhdojë Turqia të jetë e “tëhuajësuar” apo, pas një fitoreje eventuale të bllokut islamisto-nacionalist në zgjedhjet e qershorit, me vullnet të plotë dhe me dëshirën e saj, do të kalojë në dekadat e vetëdijesimit të saj? Figurativisht, gjendja aktuale në Turqinë e para 24 qershorit i bie të jetë kështu: nëse fillimvitet e shekullit XX dhanë ndryshime dhe rezultate rrënjësore në shoqërinë turke, duke e moderuar atë, ndoshta edhe pa dëshirën e shumicës në shoqërinë e atëhershme, ku detyrimisht – nën ato presione – dhe pa vullnetin shoqëror u detyrua të jetë “e tëhuajësuar” për popullin e saj, duke u besuar më shumë “të huajve” sesa vet një intelektuali turk, sot Turqia e re e pushtetit aktual të islamistëve të moderuar dëshiron që sa më parë “tëhaujësimin” shtetëror ta zëvendësojë me vetëdijesim dhe autoktoni shtetërore.Pra, pushteti aktual dëshiron që Turqia të hiqet sa më parë nga prangat e “varësive” politike të dekadencës shumëvjeçare të “tëhuajësimit” dhe në vend të kësaj të vjen një Turqi e pavarur politike, ekonomike, ushtarake, teknologjike, e zhvilluar dhe e përparuar nga autoktonia e saj – duke menduar një herë “turqisht”, e mandej në gjuhët e huaja. Gjithsesi edhe prof. Ibrahim Kallën, aktualisht zëdhënës i Presidencës turke,në librin e tij “Arsyeja dhe Virtyti”, i shpjegon mjaft qartë dhe në mënyrë koncize ndryshimet rrënjësore që duhet t’i përjetojë populli turk nga varësitë e “tëhuajësimit”, duke theksuar se “Turqia e re” duhet të jetë e pavarur intelektualisht, politikisht, ekonomikisht, kulturalisht, në aspekt teknologjik etj., duke vënë theks të veçantë se po e njëjta Turqi e re në “praxisin” e saj të zhvilluar duhet të krijojë edhe konceptet e saja, që të jetë e pavarur nga ndikimet e ndryshme të “tëhuajësimit” shumëvjeçar. Vlen të theksohet gjithashtu se para disa ditëve profesor Kallëni, në një prononcim dhënë një gazete prestigjioze ndërkombëtare rreth situatës aktuale të Turqisë, ishte shprehur kështu: “Perëndimi duhet ta ketë të qartë më se Turqia është e pavarur në vendimet e saja.”.Ky është mozaiku i një vetëbesimi dhe vetëdijesimi të fortë të pushtetarëve aktualë turq, të cilët po lundrojnë në “lojërat e mëdha” globale.
Beteja që këtyre muajve po zhvillohet në Turqi, sidomos beteja e zgjedhjeve të 24 qershorit, në asnjë rast nuk mund të interpretohet ndryshe, pos si betejë politike për pushtet.Ajo gjithsesi i ngërthen në vete edhe aspektet e tjera shoqërore, ekonomike, sociale, por edhe ndërvarësitë shtetërore, miqësitë dhe armiqësitë shtetërore. Kjo ndoshta mund të perceptohet dhe të quhet betejë e miqve dhe armiqve shtetërorë dhe jashtështetërore.
“Turqia është para kthesave historike të autoktonisë dhe autonomisë së saj të dytë, duke thënë se beteja që sot po ndodh në Turqi është rezistenca e dytë e popullit turk në Çanakkalanë e dytë.”, janë këto fjalët që shumë shpesh po dëgjohen nëpër mitingjet popullore të partisë në pushtet, të presidentit Erdogan.
Në anën tjetër, evidente është fakti se shteti turk në dekadën e fundit ka pësuar ndryshime të rëndësishme dhe nëse ajo deri më tani i është ofruar botës kulturalisht dhe ekonomikisht, mendoj se nga nesër – përpos qasjes kulturore dhe ekonomike – ajo detyrimisht do t’u afrohet shteteve miqësore edhe ushtarakisht, duke mos harruar faktin se edhe në sferën e teknologjisë Turqia e re nuk do të jetë “e rehatshme” për miqtë e saj perëndimorë.
Turqia në aspekt të politikës së jashtme të saj po transferohet nga diskursi “soft power” në “hard power”. Thënë ndryshe, gjendja aktuale në Turqi është ndërmjet mbijetesës së “tëhuajësimit”ose vetëdijesimit shoqëror, një betejë e ashpër përtej-politike nën rezistencën e ndryshimeve rrënjësore shoqërore, sociale dhe politiko-ekonomike.