Pjesa qëndrore e Kumanovës sot është tronditur nga një shpërthim i fuqishëm i një mjeti shpërthyes, bombë e llojit “kashikara”.
Siç mësohet, shpërthimi ka ndodhur në shtëpinë e ish-anëtarit të Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE, Mario Cvetkovski, informon INA duke u thirrur në portale lokale.
Ai sot rreth oërs 3.30 ka informuar policinë e Kumanovës se ka dëgjuar shpërthimin e fuqishëm në ballkonin e shtëpisë së tij. Policia në vendin e ngjarjes ka konstatuar se bëhet fjalë për një bombë të llojit “kashikara”, ku copëza të saj nga shpërthimi janë gjetur në oborrin e shtëpisë.
Nga shpërthimi i fuqishëm janë thyer xhamat, parmakët dhe një pjesë e murit të shtëpisë. Policia gjithashtu informoi se nuk ka të plagosur, veç dëmeve materiale. Cvetkovski ishte anëtar i komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE, por me ardhjen e Hristijan Mickoskit në krye ai u ndërrua. Policia deri tani nuk ka dhënë motive të sakta lidhur me këtë sulm. (INA)