Asnjë zgjidhje konkrete për çështjen e emrit nuk erdhi nga Nju Jorku. Ndonëse pa një rezultat konkret, ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, pas takimit dy orësh me Dimitrovin dhe Kocijasin tha se të dy janë të vendosur në arritjen e një marrëveshjeje.
Nimic nuk pranoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, kështu që ende ka paqartësi për propozimet që janë në tavolinë dhe nëse pjesë e tyre është edhe emri “Republika Ilinditase e Maqedonisë”. Analisti politik, Petar Arsovski mendon se ky propozim nuk është pjesë e bisedimeve dhe se ky proces, sipas tij, tani do të kalojë nëpër tre faza.
“E para është përpjekje për t’u shpëtuar propozimi i tanishëm, i cili mendoj se nuk do të jetë i suksesshëm. Faza e dytë do jetë që të shpëtohet e gjithë pakoja me ndonjë emër tjetër, për të cilën do të shohim nëse do të jetë e suksesshme me atë që ndodhi tani në Nju Jork. Ndërsa faza e tretë, nëse nuk arrijë sukses në dy të parat, do të duhet të kthehemi në gjendjen fillestare. Kështu do të komplikoheshin aspekte shtesë të bisedimeve dhe do të shohim nëse nga kjo do të shpëtojmë”, tha Petar Arsovski , analist politik.
Mosgjetja e asnjë zgjidhjeje, sipas Arsovskit, është më keq se sa të mos gjendet zgjidhje që i kënaq të gjitha palët. Sipas Arsovskit, ngelet në duart e biseduesve nëse do ta shpëtojnë procesin e bisedimeve ose do ta lënë të fundoset.
I pyetur për qëndrim të VMRO-DPMNE-së rreth emrit “Republika Ilinditase e Maqedonisë”, numri dy i kësaj partia tha se nuk është serioze të flitet për propozime që nuk janë në tavolinë.
“Ne nuk kemi asnjë informacion në lidhje me atë që ka ndodhur në Nju Jork. Është fakt se i gjithë procesi udhëhiqet në mënyrë amatore. Është fakt se i gjithë procesi udhëhiqet pa një koncept të qartë dhe është fakt se shumë nga informacionet që vijnë nga qeveria, më pas demantohen nga vetë ajo”, u shpreh Aleksandar Nikoloski, nënkryetar i VMRO – DPMNE
Jo më larg se dje, edhe zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakopulos, bëri të ditur se propozimi “Maqedonia e Ilindenit” nuk është më pjesë e bisedimeve. Njëjtë shkruhet edhe në edicionin elektronik të gazetës “To Vima”. Sipas kësaj gazete greke, propozimi “Republika Ilinditase e Maqedonisë” më nuk ekziston. Në tavolinën e negociatave, shkruan To Vima, nga pesë propozimet kanë mbetur vetëm tre: “Maqedonia e Epërme”, “Maqedonia e Re” dhe “Maqedonia Veriore”. Sipas informacioneve të cilat gazeta i përcjell me rezerva, pika kryesore e bisedimeve mbetet mënyra e saktë dhe afati kohor në të cilin do të zbatohet klauzola erga-omnes për përdorimin e emrit të ri për përdorim të brendshëm, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, televizioni grek “Skaj” duke u thirrur në burime të afërta në negociata, ka informuar se në tavolinë janë katër emra, ndërsa Shkupi është thirrur të bëjë zgjidhjen përfundimtare. Njoftohet se për Greqinë vija e kuqe është erga-omnes. /tv21/