Profesori i universitetit, Bashkim Selmani, thotë se pavarësisht kundërshtimeve në palën greke për propozim-emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, Greqia mund të befasojë me pajtim, pasi plotësohet kërkesa e saj për përdorim të përgjithshëm “erga omnes”, ndërsa me këtë propozim-emër i lidh edhe aspekti fetar, ortodoks.
Sipas tij, ky emër është i pëlqyer edhe nga pala bullgare, ndërsa faktori ndërkombëtar dëshiron që ta mbyll këtë çështje përgjithmonë.
“Dhe tani më, siç duket, kjo marrëveshje bëhet edhe me garancinë e ShBA-ve dhe Europës, dhe shpresoj që shumë shpejt mund të zgjidhet ky problem. Edhe pse Greqia nuk është për ta pranuar, megjithatë në aspektin “erga omnes” është në interes edhe i Greqisë për arsye se po sheh një interes tjetër. Po ashtu edhe Bullgaria është e interesuar pasi i njëjti emër është edhe interesi i saj, sepse përfaqëson në një farë forme më tepër bullgarët. Dhe, shpresoj që Maqedonia ta mbajë këtë qëndrim, mirëpo prej të gjitha emrave që ekzistojnë, ky do të jetë më problematik për ne shqiptarët, për arsye se tani më eliminon çdo gjë që ka pasur identiteti shqiptar”,- u shpreh profesori i universitetit, Bashkim Selmani.
Sipas Selmanit, Maqedonia është në fazën përfundimtare për të përmbyllur kontestet me fqinjët me marrëveshje ndërshtetërore dhe kjo është qasje e mirë. Në rrethana të tilla, Maqedonia duhet të tregohet më elastike.
“Nëse eventualisht Greqia nuk do ta mbajë këtë qëndrim, atëherë Maqedonia do të duhet të tolerojë për arsye se nuk ka më kapacitet ekonomik ta përballojë humbjen e kohës”,- thotë Selmani.
Një ditë më parë, Qeveria konfirmoi se pala maqedonase niset për Nju Jork me qëndrimin e njëjtë, pasi konsideron se propozimi i publikuar pas takimit të liderëve shpreh të gjitha aspektet për të mbrojtur identitetin edhe të popullit maqedonas, por edhe të të gjithë pjesëve të tjera që e bëjnë Maqedoninë shtet multietnik./al.mrt/