Pas 10 viteve, për herë të parë komuniteti i biznesit i organizuar në Odat Ekonomike të Maqedonisë shprehet i kënaqur me punën e Qeverisë sa i përket kthimit të TVSH-së. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) thonë se janë të kënaqur se si Ministria e Financave në kohë po rimburson TVSH-në për kompanitë vendase dhe se asnjë kompani private anëtare e OEMVP-së, nuk është ankuar se ka vonesë sa i përket kthimit të TVSH-së.
“Është për tu përshëndetur mënyra se si Ministria e Financave po ua kthen në kohë kompanive private TVSH-në. Rikthimi i TVSH-së po bëhet në kohë që nga fillimi i këtij viti. Mua edhe shumë kolegëve tjetër që jemi pronarë të firmave na është kthyer në kohë TVSH-ja. Ka edhe vonesa, por të gjitha këto janë në kuadër të limiteve për kthimin e TVSH-së”, thotë Nazmi Ejupi, nënkryetar i OEMVP-së. Edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë shprehen se nuk ka ankesa nga anëtarët e saj sa i përket kthimit të TVSH-së nga ana e Qeverisë.
“Kohëve të fundit shohim se po rritet pagesa e tatimeve, gjegjësisht po kthehet në kohë TVSH-ja për firmat që dukshëm po kontribuon në likuiditetin e firmave dhe kapacitetin për të pasur një zhvillim sa më të lartë ekonomik. Askush nga anëtarët Odës deri më sot nuk është ankuar se shteti po u vonon kthimin e TVSH-së”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.
Ndryshe, një ditë më parë, ministri i Financave, Dragan Tevdovski, në një intervistë për Agjencinë Informative të Maqedonisë, ka thënë se është përmirësuar pagesa e të ardhurave dhe se është rritur kthimi i TVSH-së në katër muajt e parë të vitit. Sipas Tevdovskit, nga muaji janar i këtij viti pagesa e tatimeve është për 4.7 për qind më e lartë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe se ky është një lajm i mirë, sepse po ndodhë përmirësimi i aktiviteteve ekonomike në Maqedoni. /koha.mk/