Zirafet Demiri, 54 vjeç nga qyteti i Tetovës, jeton e vetme, me qera dhe me vetëm 2800 denarë ndihmë sociale në muaj. Ziraferti 10 muaj nuk e ka paguar qiranë dhe sot në mëngjes pronarit të banesës i ka humbur durimi, duke i thënë se nëse së shpejti nuk e paguan qiranë, do ta dëbojë nga banesa.
“Jam shumë keq. Tani erdhi pronari i banesës dhe më tha, ose parat ose dil prej këtu. Nuk kam ku të shkoj”- na shkroi Zirafeti sot në mëngjes.
Ultimatumin për të paguar qeran ose për të dalë nga banesa, na e konfirmoi edhe pronari. Banesa dukej e mobiluar mirë, gjë që na shtyu ta verifikojmë këtë rast, por pronari i banesës na tha se asgjë nga mobiljet nuk i përket Zirafetes.
“ Po, Zirafetja është qeraxhia ime. Ka 10 muaj, tashmë i 11-ti që nuk e ka paguar qeranë. Çfarë të bëj, jam munduar ta toleroj, sepse gjynah nuk ka ku të shkojë, por tani me duhet pagesa ose banesa, sepse edhe unë jetoj me atë qera”- tha i zoti i shtëpisë.
Zirafetja na kërkoi që mos dalë para kameras, sepse siç tha, i vinte rëndë. ” S’është e lehtë të bësh këtë që po bëj unë, por halli të detyron, vështirësia të ve përpara”, na tha ajo.
Ajo është e vetme me shëndet të rënduar dhe ka nevojë për ndihmë sepse nuk mund të mbulojë shpenzimet elementare për jetesë.
“Do rri në rrugë nëse nuk e paguajë qiranë. Edhe për ramazan nuk kam ushqim. Kam qenë nëpër shoqata, më kanë shkruar, nuk më janë lajmëruar. Pak speca që më kanë mbet prej mbrëmë kam për iftar, ato do i ngroh, tjetër gjë nuk kam”- thotë 54 vjeçarja nga Tetova.
Në frigoriferin e saj kishte vetëm dy vez, speca, dhe një pjatë me qershi që ia kishin dhënë fqinjët.
Se Zirafetja është në gjendje të vështirë ekonomike e pohon edhe një nga fqinjët e saj.
“ Vërtet është në hall. Për iftarë, s’bën të tregohet, por meqë po pyesni, shumë shpesh në i dërgojmë, sepse mbetet edhe pa bukë. Kush ka mundësi do të bënte sevap nëse do e ndihmonte, sepse është e vetme”- tha Dashuria, fqinja e saj.
Të gjithë ata që duan dhe kanë mundësi të ndihmojnë mund ta kontaktojnë përmes numrit të telefoni:
070 866 084.
Në dispozicion është edhe xhirollogaria e mëposhtme:
Xhirollogaria:
STOPANSKA BANKA
5365062746371895
Përgatiti: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com