Fëmijët me autizëm prezantuan para publikut botën e tyre magjike. Ata prezantuan një ekspozitë me fotografi të cilat vet i kishin shkrepur. Fotografimi u organizua në disa pjesë të qytetit të Shkupit. Fëmijët autik nga këndi i tyre dhanë atmosferën e asaj që përjetuan dhe treguan historitë e tyre.
Prindërit të cilët i përkrahën tërë kohës thonë se këto punëtori janë të nevojshme sepse nëpërmjet tyre njoftohen me botën e fëmijëve me autizëm. Njëri nga prindërit thotë se ky ndryshim fëmisë së tij i erdhi i çuditshëm por që më pas u adaptua.
“Në fillim nuk i pranonte të gjitha ato shoqëri me shumë fëmijë, në një hapësirë të panjohur. Duhet t’i përfshijmë gjithkund, të jenë aktiv dhe njerëzit të njihen me botën tonë, ngjyrat tona, tonet tona dhe mënyrën tonë të jetesës, perceptimit, vizuales, zërave, kontakteve. Që t’i bashkojmë të dy botët dhe ky inkluzion të jetë i suksesshëm për rata, për ne dhe për të ardhmen tonë”, tha Bratisllav Jovanovski, prind.
“Tepër të lumtur, ende flasin për këtë. Domethënë për fëmijët kjo ishte diçka e jashtëzakonshme. Për herë të parë diçka e tillë, ne ekzistojmë që 5 vite, e për herë të parë jemi të ftuar në këso ngjarje”, tha Ollgica Georgieva, prind.
Performanca e tyre e vallëzimit përloti të pranishmit. Psikologu Vlladimir Trajkovski rrëfen efektin pozitiv të këtyre punëtorive. Ai thotë se nëpërmjet një aktiviteti të tillë fëmijëve u ndihmohet të përfshihen në shoqëri dhe të largohen nga bota e tyre e izoluar, apo mikrokozmosi.
“Art terapia dhe fotografimi është dëshmuar që ka efekt pozitiv dhe të mirë mbi të shprehurit e tyre dhe emocioneve. Nëpërmjet fotografive, vizatimeve dhe të fotografuarit ata më lehtë njoftohen me botën e jashtme, ngaqë është bërë e ditur që fëmijët autik, më lehtë akceptojnë përmes memories vizuale sesa përmes leximit ose përmes bisedës”, tha Prof.Dr. Vlladimir Trajkovski.
Koordinatorja e programit tha që fëmijët dërguan mesazhe të rëndësishme me këto fotografi. Dimitrova thotë që përmes punëtorive të tilla ngrihet fryma dhe gjendja shpirtërore tek të gjithë. Ajo thotë se fëmijët morën pjesë aktive gjatë fotografimit, bashkë me prindërit e tyre dhe instruktorët.
“Këndi i tyre është shumë i lumtur, pozitiv, i llojllojshëm, nuk mund t’ua përshkruaj sa ishin të lumtur. Unë prisja që të fotografuarit do të jetë sfidë për ata dhe se do të kënaqen, por më duhet të them që i ka kaluar pritshmërinë time. Në suaza të asaj se si ata reaguan, nga kënaqësia tyre”, tha Maja Dimitrova, koordinatore e projektit.
Ekspozita “Nga këndi im” është pjesë e projektit “Art për të gjithë”, i cili mbështetet nga Ambasada Holandeze në Republikën e Maqedonisë. Mes tjerash me këtë ngjarje në Galerinë Kombëtare u shënua edhe Dita ndërkombëtare e Muzeut. /tv21/